Arbëri

Osmani: Kosova e ka përkrahjen e të gjitha partive amerikane

Vjosa Osmani

Vjosa Osmani

Foto: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.

“Kosova ka qenë e bekuar me përkrahjen e jashtëzakonshme amerikane të të gjitha partive. Në kohën kur ne e kemi fituar lirinë në qeveri kanë qenë demokratët. Në kohën kur e kemi arritur pavarësinë në qeveri kanë qenë republikanët. Kosova vërtet ka qenë shtet i bekuar me përkrahje mbi partizane amerikane. Është vendim i popullit amerikan. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me këdo që zgjidhet. Me rëndësi është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë lider të botës së lirë dhe aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës. Ashtu do të vazhdojë do të jetë edhe pas kësaj date”, ka thënë Osmani të në martën në një deklaratë për media, pasi mori pjesë në lansimin e raportit të UNICEF-it mbi gjendjen klimatike për fëmijët në Prishtinë, raportoi KSP.

Amerikanët janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar. Shtetet e papërcaktuara Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin, janë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të 47-të të shtetit më të fuqishëm në botë.

Sondazhet paraqesin rezultate aq të ngushta sa që gara po konsiderohet si ndër më interesantet ndonjëherë.