Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjidhje për shtensionim të situatës në veri të vendit.
Të mërkurën në një konferencë për media të mbajtur pas adresimit të saj në Parlamentin Evropian, Osmani ka theksuar se Kosova është në rrugën e duhur për ta tejkaluar situatën e krijuar në veri të vendit.
“Vërtetë edhe unë mund t’i quaj sfida me të cilat po ballafaqohemi tani, por sfida që do t’i tejkalojmë, jemi në rrugë të duhur për t’i tejkaluar. Jam vazhdimisht në diskutime, në kontakt me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me partnerët tanë me shtetet individuale në shtetet e Bashkimit Evropian, me institucionet e BE-së dhe do të thosha që jemi afër që rruga përpara të jetë një zgjedhje e përbashkët, janë disa detaje që akoma duhet të diskutohen”, është shprehur Osmani, duke shtuar se ka besimin e plotë që kjo sfidë do të tejkalohet.
Ajo ka thënë se është e qartë që rruga përpara duhet të jetë e përbashkët, por se duhet të kuptohet qartë që Republika e Kosovës është ndërtuar mbi vlerat që i ka edhe Bashkimi Evropian.
“Ndër të tjera është edhe sundimi i ligjit. Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë pa dallim. Rrjedhimisht unë përshëndes punën profesionale të Policisë së Republikës Kosovës të cilët po sigurohen me profesionalizim dhe dedikim të plotë që të gjithë ata që kanë përdorur dhunë në mënyrë të vazhdueshme, tek KFOR, Policia e Kosovës, EULEX, Qytetarëve dhe gazetarëve dhe qytetarëve, të përballen me drejtësi, dhe vetëm drejtësi”, ka theksuar Osmani.
Tensionet në veri kanë nisur që në fund të muajit maj, kur u synua të futen në objektet komunale të katër komunave veriore kryetarët shqiptarë të zgjedhur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit. Ndërkombëtarët kanë bërë vazhdimisht thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa kanë fajësuar Qeverinë e Kosovës për veprimet në veri. Pavarësisht disa takimeve me emisarë, ende nuk është gjetur zgjidhja. Po kërkohet largimi i Policisë së Kosovës nga objektet komunale dhe organizimi i zgjedhjeve të reja. Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se pa u larguar bandat kriminale nga veriu nuk do të ketë tërheqje.