Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se heqja e masave nga Bashkimi Evropian do të krijonte një situatë të barabartë në dialogun me Serbinë.
Ajo është takuar të hënën me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku u tha se është diskutuar për dialogun dhe zhvillimet e fundit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë e barabartë në tryezën e dialogut”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani thuhet se e ka uruar popullin akmerikan për 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Sipas presidentes, Kosova e rikonfirmon forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.