Krerët institucionalë kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e fitër Bajramit.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Bashkësinë Islame të Kosovës ka uruar për shëndet, begati dhe bekim në secilën familje dhe shtëpi.
Ajo tutje ka falënderuar kryemyftiun Naim Tërnava, për siç tha, punën që bën me bashkëpunëtorët e tij për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë.
“Është nder i veçantë që nga Bashkësia Islame e Kosovës me kryemyftiun e bashkëpunëtorët e tij dhe të mi t’i urojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me fat Bajramin me shpresën që lutjet e tyre gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të jenë pranuar dhe me urimin nga thellësia e zemrës për shëndet, begati dhe bekim të Zotit në secilën familje e shtëpi. E falënderoj kryemyftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij për punën e jashtëzakonshme që e bëjnë për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë më së shumti nevojë, kryesisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, por jo vetëm se këtë punë të jashtëzakonshme e bëjnë gjatë tërë vitit”, ka thënë Osmani.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në BIK ka shprehur mirënjohje, duke thënë se Qeveria vlerëson përkushtimin dhe punën e këtij institucioni.
Kurti në këtë ditë ka nderuar edhe 37 dëshmorët e rënë që vijnë nga imamët e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës e vlerëson përkushtimin dhe punën e Bashkësisë Islame. Një mirënjohje e veçantë shkon për Bashkësinë Islame në aspektin social, të cilët ndihmojnë ata në nevojë dhe kjo tregon solidaritetin tonë si popull. Në këtë ditë nderojmë edhe 37 dëshmorët e Kosovës të cilët vijnë nga imamët e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ndërsa Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës nga selia e BIK-ut ka uruar edhe ish-udhëheqësit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai ka thënë se shpreson që nga viti tjetër, të gjitha festat t’i presin në Kosovë.
“Gëzuar Fitër Bajramin të gjithëve me dëshirat që secili do të keni në familjet e juaja gëzim, në tryezat bereqet dhe në zemrat tuaja dashuri. Pas përmbylljes së muajit të bekuar të Ramazanit, një muaj që ka simbolizuar sakrificë, devotshmëri dhe solidaritetmes njerëzve, shpresojmë që këto vlera të vazhdojnë sepse janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për shoqërinë tonë dhe po ashtu si në çdo festë tjetër shfrytëzoj rastin që prej këtu t’ua urojmë festën e Bajramit edhe miqve tanë, udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesve të saj që gjenden në Hagë, duke uruar që bajramet e ardhshme dhe festat e tjera t’i festojmë bashkërisht këtu në Kosovë”, është shprehur ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në emër të kësaj partie ka uruar duke thënë se duhet qenë më solidarë me njëri-tjetrin.
“Në emër të të gjithë përfaqësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës uruam të gjithë qytetarëve të Kosovës të besimit mysliman festën e Bajramit, duke u lutur që sakrifica, agjërimi dhe i gjithë kontributi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit të pranohet te krijuesi, shpresojmë se vlerat e kësaj feste të muajit të shenjtë të jenë vlera njerëzore të popullit të Kosovës. Përherë të kujdesemi për njëri-tjetrin, le të jemi më solidarë me njëri-tjetrin dhe t’u dalim në ndihmë të gjithë atyre në nevojë”, ka theksuar ai.
Pas takimit me myftiun Tërnava, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Bajrami është festë që i bashkon të gjithë, duke uruar gjithashtu që populli i Kosovës t’i kalojë me shumë gëzime jo vetëm festat por edhe jetën në përgjithësi.
"Bajrami është festë që na bashkon, festë e harmonisë me shpresën që me gëzim t’i kalojmë jo vetëm festat por edhe jetën në përgjithësi në Kosovë. Jeta jonë dhe festat tona kanë kuptim kur kemi njerëz të vyeshëm e atdhetarë, kur sa më shumë prej nesh jemi të vyeshëm dhe atdhetarë", ka thënë Haradinaj.
Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin: Shpërblehet çdo sakrificë që bëhet në emër të Zotit

Ipeshki i Ipeshkëvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë besimtarët e besimit islam me rastin e festës së Fitër Bajramit.
Ai ka vizituar kryesinë e Bashkësisë Islame, ku është takuar me myftiun e Kosovës, Naim Tërrnava me ç'rast ka thënë se kjo festë le të shërbejë si referencë që çdo sakrificë në emër të Zotit të bëhet me dashuri.
"Çdo sakrificë që bëhet në emër të dashurisë për Zotin dhe çdo bamirësi që bëhet në emër të dashurisë për njeriun është për t’u vlerësuar dhe Zoti sigurisht e shpërblen. Uroj që në çdo familje tonë, pa marrë parasysh a besojnë apo nuk besojnë, a kanë një fe tjetër apo besojnë si unë apo sikur myftiu, ne të gjithë jemi vëllezër, të gjithë duam ta jetojmë këtë të përkohshme me gëzim dhe dashuri dhe me bashkëndjenjë dhe bashkëpunim me njëri-tjetrin për të shkuar drejtë një të ardhme më të mirë jo vetëm për ne por për gjeneratat të cilave do tua lëmë pastaj vendin tonë", ka thënë Dodë Gjergji.