Arbëri

Osmani: Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO

Presidentja Vjosa Osmani

Foto: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në NATO. 

Në konferencën për media të mbajtur pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të martën në Prishtinë, Osmani ka thënë se interesimi i Kosovës për anëtarësim në Aleancë është domosdoshmëri strategjike për paqe në rajon dhe kontinent. 

“Synimi ynë strategjik për anëtarësim në NATO nuk është thjeshtë një interes shtetëror i yni, por edhe një domosdoshmëri strategjike për paqen në rajon dhe gjithë kontinentin evropian. Ne duam që të thellojmë partneritetin tonë me NATO-n duke zhvilluar çdo ditë e më shumë ushtrinë tonë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një forcë bashkëkohore, profesionale dhe ndërvepruese  me forcat partnere në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në botë”, ka thënë ajo. 

Ajo ka shtuar se Kosova tashmë e ka arritur objektivin e NATO-s për 2 për qind të shpenzimeve në mbrojtje. 

“Kosova së shpejti do të fillojë edhe me prodhim të municionit dhe dronëve. Në këtë rrugëtim jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat ballafaqohemi... Beogradi po synon të destabilizojë jo vetëm Kosovën por gjithë Evropën. Prania e trupave të NATO-s në Kosovë nuk është vetëm garanci për sigurinë tonë. Ne u bashkohemi thirrjeve tuaja të përsëritur për përgjegjësi sa i përket sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it. Ta fuqizojmë prezencën edhe të trupave edhe të mjeteve. Është koha që Kosova ta ketë vendin e saj në Aleancë për të kontribuar si anëtare e përgjegjshme”, ka thënë ajo. 

Lexo përditësimet tjera
Mark Rutte

Rutte sot në Kosovë