Arbëri

Osmani: Duhet të jemi të bashkuar kundër Rusisë dhe aleatëve të saj

Ka nisur punimet në Londër Samiti i Komunitetit Politik Evropian, në të cilin, krahas liderëve të 44 shteteve, po merr pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo bëri thirrje që krahas kundërshtimit të agresionit rus në Ukrainë, Perëndimi të bashkohet edhe kundër vendeve që janë dorë e zgjatur e Rusisë

Në prag të Samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Londër, presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje të enjten që krahas kundërshtimit të agresionit rus në Ukrainë, Perëndimi të bashkohet edhe kundër vendeve që janë dorë e zgjatur e Rusisë.

Ajo tha se është me rëndësi që komuniteti po e mbështet Ukrainën ashtu siç bëri me Kosovën.

“Edhe pse nuk jemi anëtare e Bashkimit Evropian, do të kemi mundësinë e barabartë të shprehim jo vetëm shqetësimet, por edhe ide se si mund t’i tejkalojmë disa prej sfidave më të mëdha që kontinenti ynë po i përball”, ka thënë presidentja Osmani. “Është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë të bashkuar në mbrojtjen e vlerave të demokracive nga forcat keqdashëse si Rusia, por po aq e rëndësishme është të luftojmë kundër atyre që bëjnë veprime të këtilla me mbështetjen ruse, sepse ata janë po aq të rrezikshëm sa Rusia dhe vetë Putini”.

E, në margjina të Samitit presidentja ka diskutuar me disa nga liderët e 45 vendeve pjesëmarrëse, përfshirë edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. 

“Diskutim i rëndësishëm me kancelarin Scholz në kuadër të Samitit të Liderëve të EPC-së lidhur me angazhimin tonë të përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës”, ka bërë të ditur Presidenca.
Ajo është takuar edhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. 

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Osmani dhe Mitsotakis kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Greqi. 

Osmani ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për ta avancuar bashkëpunimin me Greqinë.
“Thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Greqisë është i dobishëm jo vetëm për qytetarët e të dyja shteteve tona, por edhe për të gjithë rajonin”, ka theksuar ajo.

Presidentja është pritur edhe nga kryeministri i sapozgjedhur i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, që është nikoqir i takimit. 

Në fjalimin hapës të kësaj ngjarjeje, ai tha se kërcënimi nga Rusia është real për të gjithë Evropën. 
Në Samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian mori pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili kryeministrin hungarez, Viktor Orban, e akuzoi për tradhti ndaj liderëve evropianë, për shkak të vizitave në Moskë dhe Pekin.

Aty udhëheqësit evropianë diskutuan për luftën në Ukrainë dhe kërcënimin nga Rusia, migrimin, por edhe për raportet me SHBA-në, në rast të fitores së Donald Trumpit në nëntor.