Arbëri

Osmani: Duhet të çohemi të gjithë në këmbë kundër femicidit

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për ndalje me çdo kusht të fenomenit të tmerrshëm të vrasjeve të grave në Kosovë.

Të martën u vra një grua në Pejë. I arrestuar për rastin është bashkëshorti i saj. E të premten në Ferizaj një grua tjetër u vra me armë zjarri, nga ish-bashkëshorti.

Në iniciativën “Thinking of you”, në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani ka bërë thirrje për angazhim të institucioneve që të ndalet dhuna mbi baza gjinore.

“Fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar sot në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid me përmasa të jashtëzakonshme duhet të ndalet me çdo kusht. Mënyra e vetme për të ndalë atë është nëse rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet dhe si komb. Duhet të çohemi në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk kemi jetë vajzash dhe gra për të humbur. Prandaj i bëj thirrje të gjithëve që të ndalim njëherë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore”, ka thënë ajo.