Misioni i OSBE-së ka reaguar pas mbylljes së objekteve paralele të Serbisë në Shtërpcë dhe Leposaviq më 23 prill. Sipas tij, mbyllja e tyre ka ndikuar edhe në shërbimet e një qendre për mirëqenie sociale.
OSBE ka thënë se ndërprerja e qasjes në shërbime thelbësore "pa ofruar alternativa të qëndrueshme ndikon në mënyrë disproporcionale tek komunitetet joshumicë dhe rrezikon të përkeqësojë tensionet ekzistuese".
“Çështje të ndjeshme si këto duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, i cili mbetet rruga më efektive për zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse,” thuhet në reagim.
Nëpërmjet një aksioni të gjerë, Policia ka mbyllur të mërkurën disa institucione paralele të Serbisë në Komunën e Shtërpcës dhe në atë të Leposaviqit, në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Dryni u është vënë dyerve të Fondit të Pensioneve dhe Invaliditetit (Fondi PIO), Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq, si dhe Ndërmarrjes Publike Komunale në Shtërpcë, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Puna i është ndalur edhe kompanisë së ujësjellësit dhe të mbeturinave “Novo Javno Preduzece”, e cila ka vepruar në mënyrë ilegale në Komunën e Shtërpcës.