Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka thënë se është në dijeni të raportimeve mbi ndalimin e zyrtares të këtij misioni nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë për spiunazh.
Misioni i OSBE-së ka shkruar në Facebook të dielën se janë në gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet, teksa kanë thënë se s’mund të komentojnë më tej mbi këtë rast për shkak të hetimeve.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë është në dijeni të raportimeve të mediave lidhur me ndalimin e një anëtari të Misionit. Ne jemi në kontakt me përfaqësuesin e tyre ligjor dhe po monitorojmë nga afër mirëqenien e tyre në përputhje me detyrën tonë të kujdesit. Përderisa Misioni nuk mund të komentojë më tej për këtë rast për shkak të hetimeve në vazhdim, ai mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me autoritetet përkatëse”, thuhet në njoftim.
Misioni i OSBE-së ka shtuar se është në kontakt me institucionet përkatëse, e edhe me Sekretariatin në Vjenë “për të siguruar respektimin e procesit të duhur”.
Jelena Gjukanoviq u ndalua për 30 ditë paraburgim të dielën me dyshimin se ka kryer veprën penale "spiunazh".
Gjyqtari i procedurës paraprake, Arben Hoti, ka vlerësuar se banorja e veriut të vendit me kombësi serbe, do të mund të arratisej me lehtësi nëse do të lihej e lirë.