Arbëri

Ortopedia u prezanton QKUK-së e MSH-së tri plane për reduktim të listës së pritjes

Klinika e Ortopedisë në QKUK vazhdon të jetë njëra prej atyre, ku pacientët presin më së gjati për të kryer ndërhyrje. Në radhë për t’iu nënshtruar operacioneve për proteza janë edhe pacientë që janë regjistruar qysh në vitin 2020. Menaxhmenti i klinikës ka prezantuar tri plane për reduktim të listës së pritjes. Por, ato nuk janë të zbatueshme, nëse nuk do të ofrohet mbështetja financiare nga SHSKUK-ja e Ministria e Shëndetësisë

Emri i vajzës së Sadri Arifit nga Vushtrria, tash e katër vjet qëndron në regjistrat e Klinikës së Ortopedisë, dhe bartet vit pas viti, prej një liste në tjetrën.

Ajo që nga viti 2020 pret radhë për t’iu nënshtruar një operacioni për vendosjen e protezës së kërdhokullës.

“Është në gjendje të rëndë, është sëmurë, ka nevojë për operacion. Nuk mundet ta bëjë angazhimin as te fëmijët e vetë, e ku është edhe të punojë, se është këmba shumë e dëmtuar”, ka thënë Arifi. 

Ai ka treguar se disa herë ka trokitur në dyert e Klinikës dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të kërkuar një përgjigje që kurrë nuk iu ka dhënë.

“Ka qenë një drejtor përpara, shumë ka qenë komunikues, i tregonte disa ankesa të veta që shumë të dhimbshme për ata e jo për pacientin... Të kishte ardhur i Ministrisë dikush për t’u interesuar për qytetarët në kësi vendi që janë këto probleme, atëherë qytetari do ta kishte zgjedhur këtu problemin... Ajo listë ekziston shumë moti aty. Edhe ajo ekziston. Tash po lypi, pse kjo listë nuk po fillon që të punohet, po thotë lista është, kemi me i thirrë njerëzit, e kur i thirrni? E nuk dimë? E kush duhet me e ditë?”, ka thënë ai. 

Ortopedia është njëra nga klinikat me listën më të gjatë të pritjes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Afër dy mijë pacientë janë në pritje për vendosje të protezave të gjurit, kërdhokullës si dhe për ligamente. 

Mungesa e anesteziologëve dhe mosfurnizimi i qëndrueshëm me material ka shkaktuar grumbullimin e listave ndër vite. 

Xhavid Gashi prej gati tre muajsh e ushtron detyrën e drejtorit të Klinikës së Ortopedisë. Ai ka thënë se ka përgatitur tre plane të detajuara për reduktimin e listave, për të cilat ka kërkuar mbështetje financiare e njerëzore edhe nga Shërbimi Klinik Universitar (SHSKUK) e edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Plani B konsiston në shtimin e blerjes së protezave edhe shtimin edhe sigurimin e anesteziologjisë, anestezionit, për me pas ekskluzivisht një sallë e bllokut operativ me u dediku për proteza si program elektiv. Ky plan diku shkon ndoshta brena vitit me u realizu. Është plan që zgjedh në mënyrë shumë të ndjeshme problemin e protezave, sepse planifikohet, diku rreth sipas gjitha gjasave diku rreth gjysmë milioni euro që duhet me u ble proteza edhe ligamente”, ka thënë Gashi. 

Klinika ka katër salla operative, por shpesh nuk përdoren të gjitha, pasi që ajo operon me vetëm dy anesteziologë.

Gashi ka thënë se pret përgjigje nga QKUK-ja për ligjshmërinë e angazhimit të një anesteziologu nga pensioni, i cili ka shprehur interesim dhe po ashtu për sigurimin e së paku edhe 400 protezave të tjera.

“Kemi kërkuar që të angazhohet një anesteziolog, i cili ka shprehur dëshirën të vijë nga pensioni, nëse gjendja e tij shëndetësore, edhe të gjitha të tjera, edhe lejohet me kontratë që të vijë. Ai ka shprehur gatishmëri, kemi biseduar. Edhe drejtori ka qenë i gatshëm, dhe janë në përfundimin e kontratës, janë duke e shikuar anën ligjore nëse ka të drejtë që të angazhohet ky doktor që e ka shprehur gatishmërinë që të vijë për të punuar”, ka thënë ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me kërkesat e menaxhmentit të ri të Klinikës. 

E në SHSKUK kanë thënë se po planifikohet blerja e protezave pas rishikimit të buxhetit, por nuk kanë dhënë përgjigje sa i përket kërkesës për shtim të anesteziologëve në Klinikë. 

“Menaxhmenti i ri i Klinikës së Ortopedisë, ka paraqitur një projekt përmes së cilit ka dhënë propozimet për të zvogëluar listat e pritjes. Ky propozim ka 3 faza, të paraqitura me sqarime, A-ja, që është duke i zbatuar tani. Kurse sa i përket fazës B, parashihet që të blihen protezat,  të cilat nuk kanë qenë të planifikuara nga menaxhmenti i mëparshëm të Klinikës së Ortopedisë dhe SHSKUK”, kanë thënë në QKUK. “Tashmë po punohet në planifikim të blerjes së këtyre protezave dhe furnizimin sipas kërkesës. Kjo do të ndodhë gjatë rishikimit të buxhetit që do të ketë mundësi të rishikimit të mjeteve. Kurse sa i përket fazës së tretë, sipas propozimit, janë të parapara mjete shumë më të mëdha dhe do të planifikohet për vitet e ardhshme në kuadër të planifikimeve buxhetore”.

Listat e pritjes dhe performanca e dobët e Klinikës janë arsyet për shkak të të cilave QKUK-ja në prill e ka shkarkuar drejtorin e deriatëhershëm të Ortopedisë.