Një protestë e thirrur në Stokholm kundër idesë së fundit të Hashim Thaçit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë, sipas organizatorëve duket se nuk i ka pëlqyer ushtruesit të detyrës së ambasadorit në Suedi, Sedat Burrniku.
Thirrja për protestë është bërë mollë sherri në mes të Burrnikut dhe organizatorëve të kësaj proteste, e cila është thirrur të mbahet para objektit të Ambasadës së Kosovës në Stokholm, të dielën e 2 shtatorit, në orën 12:00.
Organizatorët kanë thënë se protesta nuk drejtohet kundër Ambasadës së Kosovës e as kundër stafit të saj aty. Megjithatë, thonë se Burrniku i ka kërcënuar. Ministria e Punëve të Jashtme mohon se u.d. i amsadorit Burrniku ka bërë thirrje që të mos mbahet protesta. Por diskutimet mes tyre janë bërë publike. Frashër Oseku, njëri prej organizatorëve ka bërë publik një diskutim në viber në mes tij dhe u.d. të ambasadorit Burrniku. Fillimisht Oseku i ka shkruar Burrnikut.
Oseku te Burrniku:
“Dëgjova se ke përmend emrin tim ndër njerëz që ke thirr. A mos je GJYKATËS APO? Frashër Oseku, para se të dal në media dua ta di versionin tënd”.
Burrniku te Oseku:
“Përshëndetje, emrin tënd as që e kom përmend as që jom ka merrem me ty. E kom përmend te zt. Kamer Elezi në kontekst që ai në çfarëdo situate si në rastin e arrestimit tënd si të protestës po e involvon në rrjete sociale ambasadën pa asnjë shkas e pa asnjë arsye. E ata çfarë versioni jepin për këtë apo tjera është çështje e tyne dhe manipulim i tyre. Pikërisht pse nuk jam gjykatës kur ke pas nevojë për ndihmën e ambasadës ‘në çështjen tënde’ kemi qenë të hapun dhe të kemi ofru në çdo mënyrë ndihmë e din ti”.
Oseku te Burrniku:
“OK tash verzionin tënd e kam kur dal në media. Më vjen keq që protestat i kem marrë përzemër e ke thirrë njerëzit mi ndalu. Nuk e di a e di a jo por Ambasada nuk e ka këtë rol zyrtar. Nëse bëhesh nervoz të këshilloj një gotë ujë të ftohët. Me thirrë e me mundu mi përçarë shqiptarët (atë e kam të konfirmuar dhe e kupton tani në media) është absurde. Secili ka të drejtë të ketë mendime të ndryshme siç ke ti të drejtë ta mbrosh atë që mendon”.
Burrniku te Oseku:
“Të lutem nëse ke diçka zyrtarisht shkruaj në email përndryshe këto komunikime dhe frikësime unë i paraqes në polici. Mendimet ndryshe nuk janë ofendime e shantazhe e frikësime”.
Oseku te Burrniku:
“Më trego ku të frikësove? UNË DESHA MBASI QË JAM RRIT NË SUEDI TA DËGJOJ VERZIONIN TËND JO THASHETHEME. Të tregova (që mod të thuash që s’e kam ditë) që do ta publikoj në media. Shëndet dhe çdo të mirë”.
{gallery}
Përtej kësaj, Oseku ka shpërndarë fjalën në Facebook të Kamer Elezajt, që ka shkruar nën titullin “Dy fjalë për mikun tim të dikurshëm Sedat Burrniku”.
“Gruaja e xhaxhait tim është bijë e thaçëve të Burojës, është kushëri me Hashim Thaçin, dhe ne jemi miq familjar me thaçët. Unë edhe vetë kam qenë pjesëmarrës i UÇK-së dhe kam respektin më të madh për punën e Hashim Thaçit si drejtor i drejtorisë politike të UÇK-së, veprimi i Hashim Thaçit si drejtor i drejtorisë politike të UÇK-së do mbetët në histori. Por unë nuk hamendem ta kritikoj Presidentin Hashim Thaçi dhe veprimet e tij të sotme sepse unë i konsideroj këto veprime shumë të dëmshme për Kosovën. Unë i konsideroj këto veprime edhe shumë të dëmshme për individin Hashim Thaçi, për djalin e Thaçëve, miqve të familjes tonë nga Buroja. Në shpirt ndjej edhe një dhembje për Hashimin, djalin e Thaçëve, dhe veprimet e tija të tanishme si President i Kosovës, të them të drejtën aq më duken të çrregulluara dhe kontradiktore këto veprime të tija sa shpesh mendoj se ka nevojë për ndihmë mjekësore”, ka shkruar Elezaj.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk do merrej me personin Hashim Thaçi si individ, por me Presidentin Hashim Thaçi më duhet të merret, meqë siç ka thënë veprimet e tija ndikojnë jetën e të gjithëve.
“Ka plot të tjerë që mendojnë se veprimet e sotme të Hashim Thaçit janë veprime të mençura dhe largpamëse - por unë nuk jam nga ata që mendojnë kështu. E mira e demokracisë është që gjithsecili ka të drejt të mendoj ashtu si ia merr mendja se është e drejt. Unë jam shoqëruar me të gjithë ambasadorët e Kosovës këtu në Suedi, bile edhe me shumicën e ambasadorëve të Shqipërisë, sepse në Stokholm kemi qenë pak shqiptarë. Unë kam pasur shoqëri edhe me një pjesë të madhe të stafit të ambasadës, njerëz jemi dhe kemi nevojë për njëri tjetrin. Unë Kosovën e konsideroj si vendin tim dhe kam të drejt të respektohem nga ambasada e Kosovës kurdo që t’i drejtohem kësaj ambasade me kërkesat e mija. Edhe nëse kam dëshirë të shprehi ndonjë protestë shpresoj që stafi i ambasadës të kryejë shërbimet e veta”, ka thënë ai.
Elezaj, publikisht i drejtohet ambasadorit për komunikimin me mesazhe, në mes të Osekut dhe Burrnikut.
“Pas mesazhit telefonik të sotëm e kuptova se je i shqetësuar nga veprimtaria ime në Facebook, meqenëse kërkove të mos merrem me ambasadën dhe procedurat e ambasadës. Shqetësimi im ishte rreth protestës së të dielës ku unë dëshiroj të marr pjesë. Unë i dhashë disa sqarime për disa miq këtu në Stokholm. Tani unë e kuptoj se ti je i interesuar që kjo protestë të mos mbahet dhe nga toni i zërit tënd e kuptova se kjo është gati jetike për ty. Po bëre edhe disa telefonata të tilla ndoshta edhe do të arrish ta ndalosh protestën, nuk i dihet, vetëm se veprimet që çojnë ka nxitja e kacafytjes së shqiptarëve mes vete në mes të Stokholmit, para vendit tënd të punës nuk i bëjnë hije të mirë as ambasadës së Kosovës as asnjë shqiptari tjetër”, ka shkruar Elezaj. “Unë ndoshta jam gabim por e konsideroj të drejt timen të bëjë një protestë për gjërat që mua më brengosin. Mua më brengos fati i vendit tim dhe përmes protestës time dua tu them Ambasadës dhe përmes ambasadës edhe organeve tjera shtetërore të Kosovës se çka është shqetësimi im”, ka shtuar më tej ai.
Elezaj thotë se beson se ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë.
“Ju nëse mendoni se kjo është e padrejtë atëherë ndërmerrni masa ligjore, ju lutem të ngrisni padi te organet përkatëse, çoftë ato të Kosovës, çoftë organet përkatëse të Suedisë. Veprimet tjera të natyrës jozyrtare nuk i shkojnë një përfaqësie sikurse është ambasada, nuk janë në të mirën e ambasadës. Unë nuk jam i shkolluar sa ti, por edhe në gazetat e rëndomta suedeze gjen shembuj kur personeli i ambasadave të vendeve të ndryshme janë zbuar nga Suedia për veprime të tilla”, ka thënë Elezaj, që njësoj si për Thaçin, thotë se asnjëherë nuk do merrej me Sedat Burrnikun, si individ, por me Sedat Burrnikun - Chargé d'Affaires a.i. në Ambasadën e Kosovës, “fatkeqësisht duhet të merremi”.
Diskutimit publik i është bashkuar Murat Koci, që ka folur për “ndërsyerje e kërcënime”. Ai ka shkruar se z. Sedat Burrniku, ushtrues i detyrës së ambasadorit fuqiplotë në Ambasadën e Kosovës në Stokholm është hedhur në sulm kundër disa bashkatdhetarëve shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Suedi.
“Si duket z. Sedati ka keqkuptuar plotësisht detyrën e tij prej diplomati në një përfaqësi të shtetit të Kosovës, të qytetarëve të saj, të shqiptarëve përgjithësisht, po edhe të ne mërgimtarëve këtu në Suedi. Shkaku i këtij sulmi të z. Sedat është thirrja e një proteste me 2 shtator 2018 përballë Ambasadës së Kosovës. Protestohet kundër idesë se Presidentëve Thaçi e Vuçiç për copëtimin e trojeve shqiptare, për copëtimin e Kosovës. Me këtë iniciativë Thaçi po rrezikon drejtpërdrejtë ekzistencën e shtetit tonë, po rrezikon paqen dhe lirinë se për demokraci ai as që di së çfarë domethënie ka. Po rrezikon të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë atje në vendlindje dhe këtu në mërgim”, ka thënë Koci, sipas të cilit, protesta në asnjë rast dhe asnjë mënyrë nuk është drejtuar kundër Ambasadës e as kundër personelit të Ambasadës.
“Ambasada është e jona. Ambasada nuk është e Qeverisë e as e personelit që momentalisht punon aty me pagë. Ne kemi pasur Ambasadë në Stokholm që nga viti 1995 (atëherë quhej Zyra për Informim e Kosovës), ne e mirëmbanim, ne e financonim. Aty punonte pa pagesë i madhi dr. Shaqir Shaqiri, ai flinte në një divan, por ai punonte natë ditë për lirinë e Kosovës dhe kishte arritur bashkëpunim të shkëlqyer me shtetin suedez, me ambasada të ndryshme të botës. Atë, po pa pagesë e ndihmonin, atëherë, i riu Shqiptar Oseku, Kamer Elezaj, Hamdi Abazi, Shuquri Sejdijaj, Ilir Canhasi, Atif Berisha, Reshat Hoxha e plotë mërgimtarë të tjerë patriotë të devotshëm. Ambasada e sotme me gjithë personelin e paguar, me kushte komode për punë nuk ka arritur ende performancen e volumin e punëve që bënte Zyra për Informim e Kosovës”, ka shprehur bindjen ai.
E sipas Kocit, në vend që Burrniku dhe ambasada t’i priste me kafe, çaj e ujë dhe ta shndërronte protestën në një festë në përkrahje të shqiptarëve dhe Kosovës ai përpiqet ta shndërron protestën në luftë.
“Në vend që ta shndërrojë protestën në kremte shqiptare ai e saboton protestën në stilin mafioz. Në vend që ta shndërrojë protestën në miqësi e përkrahje të integritetit territorial të Kosovës ai e shndërron në armiqësi, ndërsyerje, e kërcënime. Z. Sedat çuditem se si nuk e ke kuptuar që protesta është shprehje e lirë e njerëzve dhe është e garantuar me ligjet themelore të Kushtetutës të Suedisë e Kosovës!? Z. Sedati pasi as këtë nuk e kuptuar ose nuk do ta kuptosh për çfarëdolloj interesi është mirë të ikni nga Suedia. Ikni, ikni shkoni në Bjellorusi, Rusi, Kore Veriore apo Kinë. Unë do jem në protestë”, ka thënë ai.
Koha.net ka folur me u.d. të ambasadorit Sedat Burrniku, por ai nuk ka komentuar gjatë. Ka thënë se për çdo përgjigje duhet drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë.
Portali Koha.net ka kontaktuar me zyrën për Media të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk kanë bërë thirrje për ndalimin e protestës së përmendur në Stokholm. Lejimi ose moslejimi i organizimeve të protestave është në kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive e autoriteteve të shtetit pritës. Pretendimet për përfshirje të përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës në çfarëdolloj kërcënimi apo ndaj çdo personi janë të paqëndrueshme, të pavërteta dhe të papranueshme”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së dhënë portali Koha.net.
Protestën e kishte thirrur Ilir Canhasi, me thirrjen e pasqyruar pa ndërhyrje më poshtë:
Ju beje thirrje edhe nje here te gjithe juve qe ende e ndieni veten shqiptare, ju qe ende flisni shqip me femijet tuaj, ju qe jeni lodhur nga vendi juaj duke degjuar vetem lajme te keqija, merrni nje cik kurajo dhe ejani me familjet tuaja te protestoni kunder ketyre krimineleve qe kane kapur shtetin si mafia e Italise dikur!
E vetmja gje qe ne mund te bejme per momentin ne diaspore jane keto protesta, eja pra ne protesta, shprehe mllefin tend aty para ambasades.
Ambasade qe ende nuk kemi ambasador, ( gati 1 vit) kjo te tregon me se miri se cfare klase e dobet bene diplomacine e jashtme, kjo tregon nje mosmirenjohje per vendin Suedine qe ka bere aq shume per Kosoven!
Pra miqe te mi ejani ne proteste, tregoni veten se nuk jeni vetem “patriote” te shkrimeve ne facebook!
Une qe ju ftoje nuk i takoj asnje partie politike, i takoi vetem popullit tim!
Dhe jam nje kundershtar i forte i partive politike ne diaspore!
Shpresoj qe kjo proteste do te shkrije akullin qe te tjeret te vazhdojne pas nesh!
Boll mo!
Protesta mbahet para ambasades se Kosoves ne Stockholm!
Data: 2/9
Ora: 12:00