Arbëri

Organizatorët e protestave të ’81-s thonë se me to lëkunden themelet e ish-Jugosllavisë

Saktësisht 42 vjet më parë, studentët e Universitetit të Prishtinës ishin bërë nismëtarët e demonstratave të vitit 1981-s për shprehjen e kërkesave dhe pakënaqësitë politike, shoqërore e kombëtare. Protagonistët e përkujtojnë 11 marsin e atij viti si ditë të rezistencës e sakrificës shoqërore. E kryeministri Albin Kurti tha se forca dhe guximi i studentëve dhe i rinisë së asaj kohe janë shembull që duhet ndjekur çdo ditë

Të freskëta i ka ngjarjet e 42 vjetëve më parë ish-studenti i Universitetit të Prishtinës, Kadri Kryeziu, që ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave studentore të vitit 1981.

Ato që nisën si demonstrata me kërkesë për ushqim në mensën e studentëve, i shpërfaqën më pas pakënaqësitë politike, shoqërore e kombëtare.

“Organizimi ka qenë në konviktet e studentëve. Aty ka pasur studentë më shumë. Në mesin e atyre organizatorëve jam edhe unë. Kemi pasë disa shokë, t’i përmend me emër: Bajram Kosumi, Ali Lajçi, Ramadan Dobra, Jonuz Jonuzi, Bedri Deliu dhe Murat Musliu. Kemi qenë grup i vogël i studentëve të shkëlqyeshëm, studentë të arritur në Universitet dhe e kemi parë të arsyeshme që të bëjmë diçka në demonstrim, t’i tregojmë botës në përgjithësi se ato të drejta të cilat i proklamon Jugosllavia në Kosovë nuk janë të vërteta”, ka thënë Kryeziu. “Më 11 mars kemi organizuar te Mensa e Studentëve, kemi thirrur shokë, dashamirë dhe pastaj kemi filluar marshin teposhtë deri në qendër të qytetit dhe jemi kthyer deri te Mensa e Studentëve. Pastaj aty ka ndërhyrë policia dhe jemi shpërndarë, por kemi vazhduar tërë natën te Mensa e Studentëve duke kënduar këngë patriotike për Kosovën Republikë, për pavarësi të Kosovës e kështu me radhë”.

Kryeziu flet edhe për rëndësinë e këtyre protestave.

“Është sensibilizuar interesi kombëtar i shqiptarëve të Kosovës. Është sensibilizuar gjendja në Kosovë dhe është sensibilizuar pakënaqësia e popullit shqiptar në raport me pushtetin e atëhershëm serb dhe jugosllav. Pastaj shtetet e mëdha demokratike kanë marrë masa në atë drejtim për t’i ndihmuar që të arrijnë deri te qëllimi fundamental. Efektet pozitive ta quaj, kanë qenë këto”, ka thënë ai. “Ka pasur edhe efekte negative rreth burgosjeve. Kanë qenë burgosje të rënda me dënime dragonike. Në mesin e tyre kam qenë edhe unë i dënuar me 10 vjet burg, në burgjet e Serbisë, burgje të rënda”.

Në mesin e studentëve organizatorë ishte edhe Ali Lajçi. Ai thotë se data e 11 marsit të 81-s ishte akumulim historik i zhvillimeve të përgjithshme të lëvizjes kombëtare.

“11-shi të jep energji, të jep fuqi, në atë kuptimin moral, politik e të tjera dhe programor mund të themi. Nismë, që edhe sot për shembull mban një frymë të tillë në masë në kohën që e kemi. Ato kanë nisur. Ka qenë një akumulim historik i zhvillimeve të përgjithshme të lëvizjes kombëtare, mund të themi. Është kërkesë gjithëpopullore e thënë, parulla rreth bashkimit të viseve shqiptare, por ishte kjo dominonte: duam Republikë. Madje ishte edhe e përcaktuar deri diku edhe metoda e ecjeve më tej e këtyre zhvillimeve”, ka thënë Lajçi. “‘Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë’, që në një mënyrë programatike shihej si një e ardhshme e tillë, e cila edhe ndodhi kështu”.

Ai vlerëson se Kosova ka arritur suksese ndonëse i duhet edhe më shumë punë dhe angazhim në të ardhmen.

“Ne e kemi për obligim, synim e vizion forcimin e shtetit, gjithnjë duke e marrë gradualisht në perspektivë çështjen e sovranitetit, pavarësisë e të bashkimit kombëtar si vizion, i cili është një program i domosdoshëm për ne por me procese dhe adaptime me koherencën e jashtme kuptohet dhe vullneti politik i shqiptarëve që është i patjetërsuar. Arritjet për shtetin e Kosovës janë shumë të konsiderueshme, sepse është hera e parë që ne jemi të konsoliduar si shtet, e të tjerat me gjithë pengesat duhet të shikohet e të punohet më shumë”, ka thënë Lajçi.

Kryeziu, ndërkaq, thotë se Kosova duhet të anëtarësohet sa më parë në NATO.

“Mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Vështirësi kemi gjatë rrugëtimit. Është e vërtetë, por jemi me miq, me dashamirë dhe besoj që Kosova do të arrijë atë që është më kryesore në të ardhmen – të ndërtohet si shtet juridik, pastaj edhe të hyjë në mekanizma ndërkombëtar”, ka thënë Kryeziu, i cili ka qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në përbërjen e parë pas shpalljes së pavarësisë. “Unë e konsideroj si më të rëndësishmen hyrjen e Kosovës në NATO, për shkak se ende nuk kemi siguri edhe fizike edhe kolektive për shkak të raportit që kemi me Serbinë”.

Në 42-vjetorin e ngjarjes, kryeministri Albin Kurti takoi përfaqësuesit e shoqatës së ish-të burgosurve politikë. Ai vlerësoi se forca dhe guximi i studentëve dhe rinisë së atëhershme janë shembull që duhet ndjekur çdo ditë.

“Në këtë përvjetor të demonstratave që shënuan fillimin e një procesi që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë e deri në çlirimin e vendit, ata kujtuan e rikujtuan ngjarjet dhe rrugën që ato trasuan. Forca, guximi dhe organizimi i studentëve, rinisë dhe punëtorëve atëbotë përballë shtypjes së dhunshme dhe padrejtësisë sistematike janë shembull i vetëdijes që duhet ndjekur për çdo ditë dhe përkujtuar për çdo vit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë mbi këtë aktivitet të kryeministrit.

Në këtë përvjetor, për rëndësinë e kësaj ngjarjeje janë deklaruar edhe përfaqësues të partive.

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, shkroi në llogarinë e tij në Facebook se në këtë ditë kujtohet dhe vlerësohet kontributi i të gjithë studentëve, profesorëve dhe të të gjithë popullit që bashkë nisën ndryshimin e kursit të historisë dhe projektimin e ëndrrave të reja për Kosovën.

“42 vjet më parë, mijëra studentë të guximshëm, idealistë dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës – u ngritën bashkë dhe njëzëri – për të kundërshtuar një sistem shtypës dhe armiqësor. Shpërthimi qytetar i katër dekadave më parë ishte akumulim i pakënaqësive dhe, njëkohësisht, fillim i ‘Pranverës së Madhe’, e cila nuk do të përfundonte më deri në çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur mirënjohës për guximin dhe kauzën e studentëve të 1981-s.

“42 vjet më parë, studentët e Universitetit të Prishtinës me guximin dhe vizionin e tyre mposhtën frikën dhe i dhanë drejtim kauzës sonë për liri. 11 marsi ishte demonstrata më e fuqishme, e cila do të pasonte në kryengritje gjithë popullore. Që nga ajo kohë e deri më 1999 nuk rreshti asnjëherë rezistenca për liri dhe pavarësi të Kosovës, prej asaj paqësore deri tek ajo e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Më 11 mars të vitit 1981, studentët nisën protestat për çështje që lidhen me kushtet e tyre, por që menjëherë avancuan në kërkesa politike për republikë.