Arbëri

Ora e parë e mësimit nëpër shkollat e vendit iu kushtua Epopesë së UÇK-së

Në të gjitha shkollat e vendit, të mërkurën, ora e parë e mësimit iu dedikua historisë dhe rëndësisë së Epopesë së UÇK-së. Nxënësit shprehën njohuri të shumta për ngjarjet e datat historike të kombit shqiptar, teksa edhe nesër e pasnesër nëpër shkolla do të shënohet kjo ngjarje me aktivitete të shumta.

Për të shënuar nisjen e Epopesë së UÇK-së, në shkollën fillore “Pavarësia” nxënësit filluan ditën me zotimin e Hamëz Jasharit se do të luftohet deri në vdekje për liri. 

“Për hir të këtyre tri datave historike 5, 6 dhe 7 mars, të cilat e afruan historinë e Kosovës dhe lirinë një hap më përpara, për shkak të sakrificave dhe masakrave të shumta që bënë, sot do t’i themi fjalët e legjendarit Hamëz Jasharit. S’kemi ku të shkojmë më, këtu do ta bëjmë vdekjen. Ku të parët tanë kanë jetuar me shekuj, prej ilirëve e pellazgëve. E këtu do ta bëjmë vdekjen e kurrë nuk do të lëshojmë dhe do të përgjigjemi me aq sa kemi mundësi”, tha njëra nga nxënëset e kësaj shkolle. 

Si në këtë institucion në Prishtinë, ora e parë në të gjitha shkollat e vendit iu kushtua luftës dhe sakrificës së familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në Prekaz. 

Mësuesi i historisë në këtë shkollë, Agim Rexhepi, u foli nxënësve për veprimtarinë e gjatë patriotike të kësaj familjeje. 

“Ne si historian gjithmonë e kemi për obligim që nxënësve kur kemi një datë, ngjarje historike që ka ndodhur në të kaluarën, jemi të obliguar që ta përkujtojmë. Jo vetëm në letër, por ta përkujtojmë te gjeneratat e ardhshme që mos ta harrojnë”, tha mësimdhënësi Rexhepi. 

Nxënësit shprehën njohuri të shumta për ngjarjet e datat historike të kombit shqiptar. 

“Nga data 5 deri më 7 mars familja Jashari është sulmuar nga forcat serbe, ku kanë qenë të vrarë 59 persona dhe ka shpëtuar vetëm Besarta Jashari, e cila sot del dhe e tregon historinë e saj”, tha nxënësi Monik Feta. 

“I rikujtojmë çdoherë datat historike të Kosovës, si për 28 Nëntor, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, si edhe 17 Shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës”, tha nxënësi Laurat Mjeku. 

“Po ashtu e kemi të vlerësuar edhe shprehjen se historia që harrohet, përsëritet. Andaj, ne edhe i kujtojmë sakrificat e shumë familjeve”, tha nxënësja Elda Bekteshi. 

Me qëllim që ngjarja e para 27 vjetëve në Prekaz të mbetet e freskët e të përcillet gjeneratë pas gjenerate, nxënësit thanë se kanë përgatitur edhe një dokumentar të shkurtër. 

“Shikuesit jo vetëm të ia tregojmë historinë, por ta bëjmë atë që ta ndjejë, si dhe frymëzim për gjeneratat e reja dhe frymëzim që mos ta harrojnë kurrë historinë e tyre edhe pse nuk kishim fatin ta përjetojmë”, shtoi Rreze Qela, nxënëse. 

Më 5 mars 1998, forcat serbe sulmuan kullën e Jasharëve. Rezistenca zgjati deri më 7 mars, kur u shpallën të vrarë 56 anëtarë të kësaj familjeje, mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Rezistencën e udhëhoqën Adem e Hamëz Jashari.