Një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Shtimes nuk e ka bërë këtë institucion me kryesues. Opozitarët dështuan të martën ta zgjedhin kryesuesin, pasi thanë se administrata komunale nuk i la t’i shtypnin fletëvotimet. E, kryesuesi i shkarkuar javën e shkuar tha se mbledhja ishte e jashtëligjshme
Opozita në Shtime ka dështuar të martën, që në një seancë të Kuvendit Komunal ta zgjedhë kryesuesin e ri, pas shkarkimit të Adnan Ademit javën e shkuar.
Asamblistët e Partisë Demokratike, të Lëvizjes për Bashkim dhe një asamblist i pavarur thirrën mbledhjen e jashtëzakonshme, por ajo dështoi meqë administrata nuk ua mundësoi printimin e fletëvotimeve për ta realizuar procesin e fshehtë të zgjedhjes së kryesuesit.
Kuvendarët propozuan dy kandidatë për kryesues të Kuvendit, atë të PDK-së, Rrahman Jakupi, dhe asamblistin e pavarur, Reshat Mujota. Por, Mujota u tërhoq.
“Nuk e kam shkarkuar Adnanin që të vijë vetë si kryesues. Pra, nuk kam dhënë votë për ta rrëzuar kryesuesin, por për t’i bërë zgjidhje kuvendit. Jo që është një pozitë që nuk mund ta kryej, sepse atë e kryej me përgjegjësi të lartë pasi që kam përvojë të gjatë në kuvend, mirëpo unë tërhiqem nga gara”, ka thënë Mujota.
Ndërkaq asamblisti Jakupi akuzoi administratën për bllokim të procesit të votimit, në të cilin ishte kandidat i vetëm për kryesues.
“Me këtë veprim Komuna është duke bërë shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 220, për cenim në menaxhim. Sot u pamundësua të menaxhohet një seancë e kuvendit nga ana e kuvendarëve që është thirrur nga 1/3 e anëtarëve dhe kjo është një vepër penale për të cilën do ta mendojmë dhe do ta prezantojmë edhe në prokurori apo tek organet që merren me këtë çështje”, ka deklaruar Jakupi.
E asamblisti Adnan Ademi ka kontestuar ligjshmërinë e seancës kur ai është shkarkuar dhe këtë për ta zëvendësuar.
“Kjo ishte një seancë e jashtëligjshme, sepse opozita për ta gjetur një pretekst tha se nuk është materiali dhe në atë moment kryesuesin e ftuan përmes telefonit për ta ndërprerë seancën. Kjo tregon që në një seancë të jashtëzakonshme kur është bllokuar kuvendi, sipas tyre, dhe duan të bëjnë zgjidhje janë të gatshëm ta shtyjnë seancën”, ka thënë Ademi.
Sipas Ademit, opozita po synon që nëpërmjet bllokimit të punës së Kuvendit Komunal ta shtyjë miratimin e buxhetit.