Arbëri

Opozitarë serbë thonë se në veri ka frikë para zgjedhjeve

Lista Serbe është vënë në thumb të kritikave nga aktivistë politikë të opozitës në veri dhe në Beograd. Në një konferencë në Çagllavicë, ata kanë thënë se është mbjellë ambient frike në prag të zgjedhjeve dhe kritikuan edhe politikat e qeverisë së Kosovës, nëpërmjet të cilave, sipas tyre, po fuqizohet Lista Serbe.

Përfaqësues serbë të partive opozitare në veri e edhe gazetarë që veprojnë në këtë rajon, kanë thënë se serbët nuk janë të lirë të votojnë në zgjedhjet e prillit dhe se Lista Serbe veçse ka nisur etiketimin e kërcënimin ndaj atyre që e bëjnë të kundërtën.

Tek kanë folur të premten në qendrën mediale në Çagllavicë, ata kanë shprehur brengën edhe për situatën e sigurisë.

“Ekzistojnë pretendime se disa serbë në veri kanë marrë ‘këshilla shoqërore’ që të mos kandidojnë. Është pikëpyetje se a do të dalin dhe kush do të dalë në ato zgjedhje, edhe nëse mbahen. Të gjithë e dimë si kanë shkuar zgjedhjet tjera, si janë mbajtur, se si serbët kanë dalë masivisht në zgjedhje. Faktikisht kanë qenë të detyruar”, ka deklaruar gazetarja Zorica Vorguçiq.

“Ndoshta është dashur të marrim pjesë në zgjedhje, por jo në këto rrethana. Po e shihni që çdo ditë në veri po digjen vetura për arsye se njerëzit i kanë regjistruar... A mendoni se unë si politikan nesër i thërras votuesit e mi që të dalin në vendvotime nëse e di që nesër dikush i ndalë, i sulmon dhe se ua rrezikon mirëqenien? Absolutisht jo”, është shprehur udhëheqësi i Iniciativës qytetare për Zubin-Potok, Milija Bishevac.

Përfaqësues politikë u ankuan edhe për procesin e dialogut, për të cilin kanë thënë se po udhëhiqet pa i pyetur serbët e Kosovës.

Pavle Gërboviq është kryetar i Lëvizjes “Qytetarët e lirë”, parti opozitare me seli në Beograd. Ai ka thënë se të gjitha vendimet merren nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Të gjitha vendimet po merren jo nga një qendër, por nga një tru. Pra nga një njeri. Sot përfaqësuesit e Listës Serbe e kanë pasur një konsultim me Vuçiqin. Ato nuk janë konsultime, por dhënie e raportit”, ka deklaruar Gërboviq.

E Branimir Stojanoviq, lider i Lëvizjes nacionale Serbe, ka thënë se edhe politika që është duke aplikuar kryeministri Albin Kurti, shkon në favorin e Listës Serbe.

“Ky radikalizëm në terren prapë do ta bëjë Listën Serbe faktorin kyç dhe më të rëndësishmin. Do të thotë, të gjitha këto vendime dhe mospajtime... po u ndihmojnë atyre elementeve më radikale dhe më ekstreme në Listën Serbe”, ka thënë Stojanoviq.

Prej fundit të vitit të shkuar, Lista Serbe i ka braktisur institucionet. Ajo ka refuzuar të marrë pjesë edhe në zgjedhjet e parakohshme, të planifikuara për 23 prill.