Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka shkruar të mërkurën në Facebook se rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Lidhjen me SHBA-në, Abdixhiku e cilësoi të bekuar dhe të pazëvendësueshme.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes! Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, ka shkruar deputeti opozitar i LDK-së.
Urime i ka dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai tha se lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së shkon përtej politikës.
“Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës. Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë - SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Haradinaj-Trumpit: Nën udhëheqjen tuaj themeluam Ushtrinë
Kreu i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Donald Trumpin, duke thënë se nën udhëheqjen e tij Kosova e ka krijuar ushtrinë.
Trumpi është duke kryesuar dukshëm në garën për president të SHBA-së, ndërsa i duhen vetëm edhe tri vota elektorale për t’u shpallur fitues, bazuar në projeksionet.
"Nën udhëheqjen e President Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës," shkroi Haradinaj në “Facebook”, duke shtuar se është i bindur se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur."
Haradinaj theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes amerikane për synimet e Kosovës, duke përmendur veçanërisht anëtarësimin direkt në NATO.
"Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe," tha ai.
Haradinaj shprehu admirimin e tij për procesin zgjedhor amerikan, duke e quajtur atë një pasqyrim të "vlerave të demokracisë dhe fuqisë së vullnetit të lirë të qytetarëve."
Hoti uron Trumpin me një foto nga takimi me të në Zyrën Ovale
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka uruar Donald Trumpin. Trump është shumë afër për t’u rizgjedhur president i SHBA-së. Sipas, projeksioneve i duhen vetëm edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president i SHBA-së.
“Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshmuan standardet demokratike amerikane, modelit të demokracisë në gjithë botën. Urime të përzemërta Presidentit Trump dhe Zëvendëspresidentit JD Vance për fitoren e tyre. Mbarësi e suksese në lidershipin e tyre në Shtëpinë e Bardhë në katër vitet në vijim. Falënderime Presidentit Biden dhe Zëvendëspresidentes Harris për mbështetjen për Kosovën dhe gjithë shqiptarët gjatë katër viteve të fundit. Populli i Kosovës është përherë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqësia e përhershme e popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga shtyllat kryesore të shtetësisë sonë. Duhet të thellojmë marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve. Vetëm në koordinim dhe mbështetje nga Shtëpinë e Bardhë, Kosova lëviz sigurt drejt integrimit euroatlantik. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë popullin e saj!” – ka shkruar Hoti në Facebook, ndërsa ka postuar një foto të takimit të tij me Trumpin në Zyrën Ovale.
Po ashtu ka uruar Trumpin edhe kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza.
“Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij. I uroj për garën fer, si republikanët, ashtu edhe demokratët. Demokracia amerikane është shembull për botën. Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqësinë tonë të përhershme!” – ka shkruar Hamza në Facebook.