Arbëri

Opozita thotë se s’ka transparencë për dialogun, s’pret të dalë diçka jashtë temave të prodhuara nga Kurti

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Foto: Alban Bujari

Opozita e ka kritikuar ekzekutivin për mostransparencë sa i përket dialogut me Serbinë. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se në takimin e ardhshëm midis nivelit të lartë në Bruksel këtë javë nuk presin të dalë diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Albin Kurti. Ndërsa deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i bëri thirrje Qeverisë që të jetë e përgjegjshme në hapat e ardhshme të dialogut sa i përket marrëveshjeve të arritura dhe të përkrahura nga aleatët e vendit.


Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet të enjten e 27 qershorit ka bërë të ditur të hënën kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili tha se mungesa e agjendës parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë që një kohë të gjatë mos të takohen pavarësisht që sipas tij kishim pika të tjera të cilat ishin në interes të opozitës.

Si pikë kryesore që pritet të diskutohen në seancën e së enjtes, Tahiri ka përmendur projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Tahiri tha se janë duke punuar me këshilltarët ligjorë të PDK-së që ta shohin mundësinë që projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ai e ka kundërshtuar këtë projektligj duke thënë se ka tendencë të Qeverisë për kontrollimin e mediave online.

“Çka do ta diskutoj me ju janë dy çështje të rëndësishme dhe mjaftë kritike për nga perspektiva jonë nga mënyra si i shohim ne. Është projektligji i Komisionit të Pavarur për Media i cili është në rend dite në seancën e ditës së enjte dhe është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për media ju e dini që tashmë ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile po ashtu edhe nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe mund të themi se prej rekomandimeve që kanë ardhur nga Këshilli i Evropës, për standardet të cilat duhet të ketë një projektligj i tillë nuk janë përputh fare ose në masën më të madhe janë injoruar mund të themi lirisht. Ky projektligj është një tendencë e kontrollimit të mediave online të cilin ne e kundërshtojmë”, ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se kanë kërkuar edhe themelimin e një komisioni hetimor.

“Ju e dini që ka qenë një skandal jashtëzakonisht i madh në përllogaritjen e borxhit të ujit të kompanive, ambalazhuesve të ujit. Ne si grup parlamentar i PDK-së qysh prej periudhës kur këto fakte kanë dalë në mediat e Kosovës kemi iniciuar themelimin e një komisioni hetimor. Komisioni hetimor i bënë bashkë gjithë akterët dhe arrin ta nxjerrë një përfundim nëse vërtetë Ministria e Planifikimit Hapësinor apo agjencitë që janë brenda kësaj ministrie kanë bërë shkelje kanë dëmtuar buxhetin apo është një proces i rregullt apo këto pretendimet tona mund të mbesin vetëm në nivel të pretendimeve”, shtoi Tahiri.

Derisa për takimin e ardhshëm për dialogun Kosovë-Serbi, tha se nuk presin se do të dalë diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Albin Kurti.

“Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese. Këtu nuk mund të presim që do të dalë diçka jashtë këtyre temave që i ka prodhuar Kurti në dialog. Normalisht unë nuk di për agjendën, unë nuk di për mënyrën se si është organizuar, por ajo çka mund ta vlerësojë që komplet angazhimi në këtë takim të radhës do të jetë në temat që i ka prodhuar Kurti këto dy vite e gjysmë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. /KSP

Takimi Kurti-Vuçiq, Muja: Kosova ta definojë nëse ka marrëveshje

9 muaj më parë / 24 qer 2024 13:55
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, derisa ka folur për takimin e paralajmëruar mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të mërkurën në Bruksel, ka thënë se aty duhet të diskutohet nëse ka vërtet marrëveshje mes dy vendeve, pasi sipas tij, Serbia po shkel marrëveshjet e arritura.

Për këtë, Muja përmendi rastet si fushata Serbisë për penguar prezencën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, bojkotin e zgjedhjeve në veri e sulmin e Banjskës.

“Kosova është një moment të definimit nëse vërtet ka marrëveshje sepse më 28 shkurt të vitit 2023 kemi pas një marrëveshje në Bruksel pasuar nga një aneks në Ohër dhe pastaj vit pas viti, masë pas mase Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv dhe kjo ka ardhur në formë të disa veprimeve. E para është përpjekja të izolohet Kosova në prezencën e saj në arenën ndërkombëtare në kundërshtim me zotimet e asaj marrëveshje. E dyta është ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës që nga kontrolli i Listës Serbe, bojkoti i zgjedhjeve dhe e treta ishte Banjska. Unë mendoj që kemi një rast të agresionit të hapur ndaj Kosovës dhe e katërta ishte kur ata formalisht u tërhoqën në dhjetor. Kryeministrja e Serbisë i dërgoi letër ndërmjetësit duke thënë se dy pika të marrëveshjes nuk vlejnë. Ajo çfarë ne duhet të përcaktojmë është në rast se kemi ndonjë marrëveshje”, tha ai.

Sa i përket masave të BE-së, Muja tha se pret që masat tani të largohen pas deeskalimit në veri. /KSP

Zemaj: Tendenca për autokraci, shqetësim nacional

9 muaj më parë / 24 qer 2024 13:32
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj

Photo: Alban Bujari

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës do të diskutohen rreth 35 pika, të cilat kanë mbetur tash e disa muaj.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Zemaj ka thënë se situata aktuale është e pafavorshme për të zhvilluar seancë të rregullt, pasi sipas tij, Qeveria e ka humbur legjitimitetin dhe kryeministri Kurti është dorëzuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Ai tha se me qasjen aktuale të pushtetit, vendi po rrezikohet nga tendenca e autokracisë, duke vendosur struktura personale në institucione të pavarura siç janë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media.

Zemaj shtoi se kjo mendësi do të kundërshtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
“Kemi më shumë se 35 pika të grumbulluara, disa të mbetura me muaj të gjatë si procedurë dhe me një ambient ku kushtet e punës në këtë situatë janë të pafavorshme për të zhvilluar një seancë të rregullt kuvendare. Kjo nuk është e rastësishme që ka ndodhur në Republikën e Kosovë, sidomos këtë vit pas humbjes së legjitimitetit të kësaj Qeverie dhe dorëzimit të z.Kurti për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe po vazhdon ajo që e kemi quajtur shqetësim nacional, tendenca e autokracisë në këtë vend për imponimin e strukturës personale në institucione të pavarura siç është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur për Media e shumë organizata tjera që janë të pavarura me Kushtetutë. Këto do të kundërshtohen në këtë seancë”, ka thënë ai. 

Duke folur për takimin së mërkurës mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deputeti opozitar tha se i gjithë procesi i dialogut Kosovë-Serbi është përcjellë me mostransparencë.
Ai tha se mungesa e raportimit të Kurtit para deputetëve në lidhje me dialogun, është tregues i shqetësimeve të tyre.

Në fund, Zemaj i bëri thirrje Qeverisë që të jetë e përgjegjshme në hapat e ardhshme të dialogut sa i përket marrëveshjeve të arritura dhe të përkrahura nga aleatët e vendit.

“Ka vend për shqetësim sepse gjithë ky proces i përcjellë me mostransparencë dhe ikje nga përgjegjësia para të zgjedhurve të popullit ku ekziston një rezolutë në fuqi që Qeveria duhet të raportojë para dhe pas çdo raundi të bisedimeve është tregues i qartë në atë që kemi pas vërejtje në vazhdimësi. Vetë vizita e heshtur ose tentimi që të heshtet vizita e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq, ku i bëjmë thirrje qeverisë që të jetë e përgjegjshme në atë që do të bëj tutje më marrëveshjet e përkrahura nga partnerët ndërkombëtar”, tha Zemaj. /KSP