“Për LVV-në këto raste të fundit janë shqetësime shumë të mëdha, sepse keqpërdorimet, arrestimet e dënimet janë duke vazhduar. LVV inkurajon prokurorinë që mos të ndalen vetëm me ‘peshqit e vegjël’, por të shkojnë me hetime deri te burimi ku ndodh krimi dhe ata që janë kokat e krimit. Kokat e krimit dihet kush janë, autoritetet në komunën e Pejës. Ne duhet të shikojmë a kanë qenë të përfshirë ata. Se me ndodh gjithë këto maniverzime, gjithë këto para me qarkullua nëpër dorën e punëtorëve të thjeshtë të komunës, është disi e pamundur”, anëtari i kryesisë së LVV në Pejë, Bashkim Nurboja
Pejë, 3 mars - Arrestimi të martën i zyrtarit të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Pejës, Alban Bushati, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit në aferën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë dhe dënimi me gjashtë muaj burg i shefit të kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, të hënën nga Gjykata Themelore e Pejës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka shkaktuar reagime të dy subjekteve opozitare në Pejë, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Pas këtyre dy rasteve të fundit, anëtari i kryesisë së LVV në Pejë, Bashkim Nurboja, ka thënë se korrupsioni po ndodh në Komunën e Pejës dhe arrestimet po vazhdojnë në këtë komunë, për çka ai ka kërkuar nga Prokuroria të vazhdojë me hetime deri në majat e hierarkisë në institucionet komunale, ku sipas tij edhe gjenden kokat e krimit në këtë komunë.
“Për LVV-në këto raste të fundit janë shqetësime shumë të mëdha, sepse keqpërdorimet, arrestimet e dënimet janë duke vazhduar. LVV inkurajon prokurorinë që mos të ndalen vetëm me ‘peshqit e vegjël’, por të shkojnë me hetime deri te burimi ku ndodh krimi dhe ata që janë kokat e krimit. Kokat e krimit dihet kush janë, autoritetet në komunën e Pejës. Ne duhet të shikojmë a kanë qenë të përfshirë ata. Se me ndodh gjithë këto maniverzime, gjithë këto para me qarkullua nëpër dorën e punëtorëve të thjeshtë të komunës, është disi e pamundur”, thotë Nurboja.
Jashtë gjithë këtyre rasteve ai nuk e lenë kryetarin e Komunës, Gazmend Muhaxherin, i cili sipas Nurbojës, është i zhytur edhe vetë në këto afera ose nuk ka fare autoritet mbi zyrtarët e tij në komunë.
“Duke i marr parasysh këto afera, na mundemi me ardh në dy konkluzione. Ose e ka në kontroll dhe e din se çka është duke bërë dhe është i përfshirë ose nuk ka fare kontroll dhe nuk e din hiq se çka është duke ndodh në komunën e tij. Këto të gjitha bëjnë që këta janë të koncentruar në diçka tjetër e jo për t’ju shërbyer qytetarëve. Dhe kjo është shqetësuese për qytetarët e Pejës dhe për neve si Lëvizjen Vetëvendosje, për arsye se qytetarët meritojnë më shumë. ”, thotë Nurboja.
Në subjektin tjetër opozitar në Pejë, AAK, tregojnë se vazhdimisht kanë ngritur shqetësimet e tyre për keqpërdorimet në komunën e Pejës dhe kjo sipas këtij subjekti po vërtetohet me dënime dhe arrestime të zyrtarëve të Komunës ditëve të fundit.
“Kur shefi i kabinetit është i akuzuar e më pas edhe dënuar për keqpërdorim, është e pamundur që nuk është i njoftuar edhe kryetari. Përkundrazi kryetari disa herë ka deklaruar se nuk është fajtor Sheremeti, por u vërtetua e kundërta. Tash edhe Drejtoria e Bujqësisë është nën llupen e hetimeve për keqpërdorime me subvencione për bujqësi të Ministrisë së Bujqësisë”, thotë Nazmi Krasniqi, këshilltar i AAK-së në Kuvendin Komunal të Pejës. Krasniqi konsideron se nëse Muhaxheri vet nuk është i përfshirë në këto afera, ai do të duhej të deklarohet publikisht. “Ne mendojmë që sigurt përgjegjës kryesore duhet të jetë kryetari i komunës. Dihet kompetencat që i ka kryetari i komunës, së paku ishte dashtë të distancohet ma herët për veprimet e shefit të kabinetit por edhe në rastin tash të zyrtarit të Drejtorisë së Bujqësisë”, thotë Krasniqi. Për gjitha këto reagime dhe akuza të opozitës, KOHA ka kontaktuar kreun e komunës, Gazmend Muhaxheri, por ai nuk ka pranuar të deklarohet. Për keqpërdorim të detyrës zyrtare shefi i kabinetit të kryetarit, Durim Sheremeti është dënuar nga Gjykata e Pejës me gjashtë muaj burg dhe i është ndaluar për dy vjet ushtrimi i funksioneve publike. Edhe pse nuk ka qenë i autorizuar Sheremeti kishte nënshkruar një dokument për pranimin e mallit lidhur me një tenderë të komunës, në vend të menaxherit të projektit, ku është dëmtuar arka komunale për 10 mijë euro duke i mundësuar përfitim në këtë shumë operatorit ekonomik. Kurse, zyrtari i Drejtorisë së Bujqësisë në këtë komunë, Alban Bushatin është arrestuar të martën lidhur me aferën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë të njohur si “Subvencioni 2021”, me dyshimet se ka marrë rreth 48 mijë euro ryshfet në emër të dhënies së subvencioneve. Të mërkurën Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar Bushatit masën prej një muaj paraburgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti.