Arbëri

Opozita thotë se i duhen pak vota për t’ia “shkurtuar këmbët” Qeverisë Haradinaj

Brenda kësaj jave, liderët e opozitës pritet të takohen për të koordinuar hapat për rrëzimin e Qeverisë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se do ta takojë fillimisht kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti e më pas atë të PSD-së, Shpend Ahmeti, raporton KTV.

Deputetë të LDK-së e VV-së tashmë kanë nisur punën për përpilimin e tekstit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.

Opozita është në kërkim të disa votave të partive në pushtet, derisa LDK-ja ende nuk ka vendim nëse do t’i kërkojnë edhe votat e Listës Serbe.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ndonëse nuk i ka bërë publikë emrat e deputetëve që janë në pushtet, ka thënë se me këta deputetë ka kohë që kanë bashkëpunim.

Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se tashti është koha e mocionit për rrëzim të koalicionit qeverisës PAN, por e pranon se opozita nuk i ka ende votat për rrëzimin e Qeverisë.

Por kritik ndaj dy partive më të mëdha opozitare është deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu, i cili thotë se me gjithë nënshkrimet për rrëzim të Qeverisë Haradinaj i kanë dorëzuar në korrik të vitit të kaluar, asnjë hap nuk është bërë përpara.

Sipas tij, deri tashti LDK0ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vetëm akuza ndaj PSD-së dhe jo bashkërendim, pa të cilin, siç thotë ai, nuk mund të ndodhë rrëzimi i kësaj qeverie.

Për rrëzimin e Qeverisë, partive opozitare u nevojiten së paku 61 vota.