Deputetë të opozitës kanë bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për të premten në mesditë, pas publikimit të përgjimeve të komunikimit mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Në thirrjen që ka siguruar KOHA, është propozuar edhe një rezolutë që kërkon hetimin e Kusari-Lilës dhe shkarkimin e saj nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar.
Të mërkurën u publikua një përgjim në të cilin u dëgjua zëri i Kusair-Lilës tek bisedon me terroristin Radoiçiq. Siç ka raportuar “paparaci.com” bazuar në audio, Kusari-Lila e Radoiçiq flasin për votime në Kuvend. Publikimin, deputetja Kusari-Lila e ka quajtur të montuar.

Në lajmërimin për thirrjen e seancës, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kërkesa është “lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e kësaj Republike, për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës”.
“Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje”, ka shkruar ai në Facebook.
Pas debatit që ishte të enjten në Kuvend, Tahiri ka kërkuar nga Kusari-Lila që të publikojë fotografitë për akuzën e saj se ka zyrtarë të tjerë që kanë marrë pjesë në përurimin e shtëpisë së Radoiçiqit, teksa ka përmendur edhe dhurata për fëmijët e tij.
“Populli nuk meriton mjegull. Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij”, ka shtuar ai.