Kuvendi i Kosovës miratoi rekomandimin që për 6 muajt e ardhshëm, KOSTT-i të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të rrymës për katër komunat me shumicë serbe. Opozita e ka vlerësuar vendimin në kundërshtim me legjislacionin dhe të drejtat e njeriut, derisa ka paralajmëruar ankesë deri në Gjykatën Kushtetuese. Kurse kryeministri Albin Kurti ka thënë se borxhi nuk do të eliminohet.
Opozita ka paralajmëruar se nuk do të rrijë duarkryq përballë pagesës milionëshe për rrymën e shpenzuar në veri.
Vendimin e djeshëm të Kuvendit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e vlerëson në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe ndaj tij ka paralajmëruar veprime ligjore, duke mos përjashtuar ankesën në Gjykatën Kushtetuese.
Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e konsideron të nevojshëm bashkimin e opozitës për ta kundërshtuar këtë pagesë.
E LDK-ja nuk është deklaruar gjatë së premtes.
I pyetur për paralajmërimet e opozitës, kryeministri Albin Kurti nuk i ka komentuar ato. Ai vetëm ka thënë se borxhi nuk do të eliminohet, duke lënë të kuptohet se do të kthehet, por nuk ka treguar se në çfarë forme.
“Në njërën anë ka qenë një veprim i imponuar nga situata ndërkaq në anën tjetër nuk është se energjia e papaguar do të paguhet prej nesh dhe në këtë mënyrë gjithçka do të jetë në rregull. Borxhi është borxh, pra nuk është diçka që eliminohet si i tillë mirëpo ne po e menaxhojmë situatën drejt një zgjidhje të qëndrueshme për të cilën Kuvendi i Kosovës na ka dhënë gjashtë muaj dje”, ka deklaruar Kurti.
Të enjten, Kuvendi i Kosovës me 61 vota për, miratoi rekomandimin që për 6 muajt e ardhshëm, KOSTT-i të marrë përsipër mbulimin e shpenzimeve të rrymës për katër komunat në veri me shumicë serbe.