Asamblistët opozitarë në Prizren gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Komunës kanë shprehur qëndrimin se zgjedhja e tre anëtarëve të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit nga shoqëria civile është përcjellë me parregullsi. Por bartësit e këtij procesi i kanë kundërshtuar këto pretendime, duke u shprehur të gatshëm që të japin përgjegjësi morale e ligjore
Shqyrtimi i vendimit për emërimin e tre anëtarëve të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit në Kuvendin e Komunës është shoqëruar me akuzat e opozitës se procesi ka pasur parregullsi.
Sipas asamblistëve opozitarë, këto parregullsi kanë filluar prej krijimit të Komisionit Ad-Hoc, pastaj shpalljes së konkursit e deri te procesi i përzgjedhjes së kandidatëve. Ata thonë se si në Komision ashtu edhe te kandidatët e përzgjedhur ka shërbyes civilë, përderisa legjislacioni në fuqi kërkon që ata duhet të jenë pjesë e shoqërisë civile.
Kuvendarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë pohuar se procesi nuk ka qenë i rregullt, pasi sipas tyre njerëz jokompetentë, që nuk janë të fushës, kanë marrë pjesë në testim e intervistim të kandidatëve.
“Dhe i gjithë ky proces me aq sa jam unë dëshmitar ka qenë i organizuar dhe i orientuar që një individ i caktuar të dështojë”, ka thënë kuvendari i LVV-së, Ilir Gashi.
“A ka shërbyes civilë të cilët janë të përzgjedhur si anëtarë? Nuk e dini?”, ka thënë Marin Përgjoka nga LDK-ja.
Por kryesuesi i Komisionit Ad-Hoc, Bari Zenelaj, duke u përgjigjur në pretendimet e opozitarëve, ka theksuar se procesi ka qenë i rregullt dhe ka kërkuar që të mos i jepet ngjyrim politik.
“Po më vjen shumë keq që këtij Komisioni po mundohet t’i jepet një konotacion politik. Absolutisht jam kundër dhe jam i gatshëm në çdo rrethanë edhe moralisht edhe ligjërisht me iu përgjigj”, ka thënë Zenelaj.
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Antigona Bytyqi, ka pohuar pranimin e një ankese nga një kandidate lidhur me këtë proces dhe ka shtuar se shqyrtimi i ligjshmërisë do të bëhet nga niveli qendror.
“Edhe dua t’ju njoftoj që nga një aplikante e kemi edhe një ankesë. Edhe pse ne i kemi dërguar një përgjigje që nuk jemi organ që i shqyrtojmë ankesat, por MAPL-ja. Dhe ankesën do t’ia bashkëngjisim edhe vendimit, edhe raportit përmbledhës të cilin e paraqiti kryesuesi për ta dërguar në MAPL, që do të merret me shqyrtimin e ligjshmërisë”, ka thënë Bytyqi.
Listës së tre kandidatëve më të poentuar nga Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit i prinë Veron Tara, i pasuar nga Edin Gështenja dhe Haxhi Seferqaj. Bashkësitë fetare i nominojnë 3 anëtarë të tjerë të Këshillit, kurse anëtari i shtatë nominohet nga Zyra komunale për kthim dhe komunitete.