Arbëri

Opozita në Prishtinë thotë se seanca e Kuvendit dështoi shkaku i përplasjeve në koalicion

Gëzim Sveçla, këshilltar i LVV-së, ka thënë se themelimi i një drejtorie të re nga kryetari Rama, me të cilën do të merreshin shumë përgjegjësi nga drejtoritë që i ka Partia Demokratike (PDK), ka shkaktuar përplasje në koalicion. “Është duke u përgatitur formimi i një drejtorie të re, e cila do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe do t’i marrë kompetencat e drejtorive të tjera, njëra ndër këto drejtori është edhe ajo e Shërbimeve Publike, me të cilën udhëheq PDK-ja. Besojmë që ikja nga kjo seancë e jashtëzakonshme, të cilën pushteti e ka thirrur vetë, ka të bëjë pikërisht me këto pakënaqësitë mes koalicionit”, ka theksuar ai

Ende pa nisur, ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e thirrur për të premten nga kabineti i kryetarit, Përparim Rama.

Në këtë seancë pritej që të shqyrtohej rritja e çmimit të tarifave për mbeturina dhe parkingje në kryeqytet.

“Kam një letër të kryetarit Rama. me të cilën ai kërkon që të anulohet seanca e sotme. Arsyetimet e opozitës për disa pika të rendit të ditës duhet të trajtohen dhe materialet të diskutohen në seancën e ardhshme”, ka bërë të ditur Pëllumb Bajqinovci, kryesuesi i Kuvendit, që në nisje të seancës.

Por këtë justifikim për anulimin e mbledhjes e kanë refuzuar nga opozita.

Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në opozitë në Prishtinë, kanë thënë se vendimit i kanë paraprirë përplasjet për pushtet përbrenda partnerëve të koalicionit qeverisës (LDK-PDK), si dhe mungesa e votave.

Gëzim Sveçla, këshilltar i LVV-së, ka thënë se themelimi i një drejtorie të re nga kryetari Rama, me të cilën do të merreshin shumë përgjegjësi nga drejtoritë që i ka Partia Demokratike (PDK), ka shkaktuar përplasje në koalicion.

“Është duke u përgatitur formimi i një drejtorie të re, e cila do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe do t’i marrë kompetencat e drejtorive të tjera, njëra ndër këto drejtori është edhe ajo e Shërbimeve Publike, me të cilën udhëheq PDK-ja. Besojmë që ikja nga kjo seancë e jashtëzakonshme, të cilën pushteti e ka thirrur vetë, ka të bëjë pikërisht me këto pakënaqësitë mes koalicionit”, ka theksuar ai.

Të premten, që nga ora 8 e mëngjesit, Komiteti për politikë dhe financa ishte mbledhur për të diskutuar paraprakisht pikat e rendit të ditës së seancës, duke përfshirë rritjen e çmimit për mbeturina nga 4.70 në 6.40 euro, si dhe të tarifave për parkingje publike në kryeqytet. Teksa seanca ishte paraparë që të niste nga ora 10:00, ajo fillimisht është shtyrë për në 11:00. Në këtë kohë, jo të gjithë asamblistët i zunë vendet në sallën e Kuvendit.

E kryesuesi Bajqinovci ka thënë se shkaku i anulimit të seancës nuk është mungesa e votave.

“Mungesa ndoshta ka qenë në atë çast, sepse (ishte) Komiteti për politikë dhe financa. Seanca që kemi pasur për ta mbajtur është zgjatur në bazë të diskutimit. Kjo seancë në brendi të saj ka pasur rregullore të rëndësishme për kryeqytetin”, ka theksuar ai.

Në fund të muajit, Kuvendi Komunal i Prishtinës pritet që të mblidhet në një seancë të rregullt për të diskutuar edhe për pikat e rendit të ditës nga kjo seancë e dështuar.