Në afërsi të fshatit Gorazhdec të Pejës është duke u realizuar projekti 23 milionësh për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza të 65 për qind të territorit të kësaj komune.
Për ndërtimin e këtij impianti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, Komuna ka shpronësuar gjithsej 13 hektarë tokë për 700 mijë euro, raporton KOHA.
Kësaj hapësire të martën u propozua që t’i shtohen edhe katër hektarë, propozim që nuk u mirëprit nga opozita.
“Ose është planifikua keq atëherë e s’keni ditë se çka keni ba, ose tash, nuk po du me thanë se s’po kam dëshirë të jetë keqpërdorim në asnjë formë, por e paarsyeshme po se po”, ka deklaruar Nazmi Krasniqi, këshilltar komunal nga AAK-ja.
Mirëpo, kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, ka arsyetuar propozimin e tij se ata katër hektarë në vlerë prej 140 mijë eurosh mund t’i duhen impiantit në të ardhmen për zgjerimin e impiantit apo edhe për prodhimin e rrymës me panele solare për nevojat e impiantit.
Por as ky arsyetim nuk ka qenë i besueshëm për ish-këshilltarin komunal të Nismës, tani të pavarur, Gëzon Berisha.
“ I kujt është interesi. A është i juaji apo i dikujt tjetër. Është mirë me ditë edhe na”, ka pohuar Berisha.
E ndaj këtyre pohimeve Muhaxheri nuk heshti.
“Unë e di që ka njerëz që vijnë me agjenda dhe që i lexojnë shkrimet që ua bën dikush tjetër këtu edhe mendojnë që po munden me i ba diçka kryetarit. Nëse ka diçka ai zontia mundet me shku në Prokurori”, ka thënë kryetari Muhaxheri.
Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, Kuvendi miratoi me votat e këshilltarëve të pozitës LDK dhe PDK propozimin e kryetarit të Komunës.
Projekti i impiantit është projekti më i madh në Pejën e pasluftës, financues të të cilit janë Qeveria gjermane me 9 milionë euro, Qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, Komuna e Pejës me tre milionë euro dhe pjesa tjetër nga Qeveria e Kosovës.