Propozimet e kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, për këmbimin e pronave komunale me prona private të disa qytetarëve është kundërshtuar nga opozita. Është kërkuar që personat që kanë uzurpuar prona komunale të penalizohen.
“Ne nuk po duam me i rrënu shtëpitë në pronat komunale, por me gjetë një zgjidhje që me u dhënë fund uzurpimeve të mëtutjeshme të pronave komunale. Duam një zgjidhje që ai që ka ndërtuar shtëpi në pronën komunale të mos ndihet rehat sikur dikush që ka shtëpinë në pronë të vet”, tha këshilltari i AAK-së opozitare në Kuvend, Arbër Grabovci.
Mirëpo kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, sqaroi se po mundohet të bëjë zgjidhje të këtij problemi të uzurpimeve të pronave komunale, në favor të dy palëve pasi, sipas tij, qytetarët që kanë ndërtuar në prona komunale nuk mund e legalizojnë shtëpinë e ndërtuar, shkruan sot Koha Ditore.
“Ka prona të uzurpuara dhe me hy me logjikën që me i mëshua vijë dhe me zgjidhë të gjitha problemet njëjtë, duhet me hy e me i rrënua të gjitha ndërtimet në pronat komunale ku ka edhe shtëpia. Ashtu duhet me ia u humb pasurinë njerëzve që e kanë krijuar me disa dekada. Dhe tash mua si kryetar më duhet të ndalem dhe të mendoj a mundem me bë këtë punë a jo. Unë them se nuk mundemi me dalë e me ua rrënua të gjithëve ndërtimet që i kanë bërë në pronat komunale dhe me krijua probleme të reja sociale”, tregon Muhaxheri arsyen pse nuk mendon të shfrytëzojë buldozerin për lirimin e pronave të uzurpuara komunale, ku ka shtëpi të ndërtuara por të shkëmbejë pronat me uzurpuesit e pronës komunale.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)