Arbëri

Opozita në Malishevë fton Prokurorinë që t’i hetojë për keqpërdorim disa subvencione në bujqësi

Në raportin financiar të shpenzimeve për vitin 2019, të Komunës së Malishevës, figurojnë rreth 50 mijë euro të harxhuara nga buxheti për bujqësi, për blerjen e plehrave dhe farërave për bujqit.

Por, këto dy produkte bujqësore nuk u blenë asnjëherë nga Komuna dhe, rrjedhimisht, as bujqit e kësaj komune nuk i morën ato asnjëherë falas.

Njëjtë, ata nuk përfituan as mjete të punës - sikurse janë traktorët - ashtu siç ishte e planifikuar, ani pse në raport, paratë për to figurojnë si të shpenzuara, raporton KTV.

Opozita ngre shqetësime për manipulim dhe keqpërdorim të parasë publike nga ana e kryetarit Ragip Begaj dhe drejtorëve përkatës.

Alban Krasniqi, asamblist i VV-së në Malishevë ka thënë se as kryetari e as drejtorët nuk kanë të drejtë t’i shpenzojnë mjetet e destinuara për ndonjë projekt në projekte të tjera, pa miratim paraprak në Kuvendin Komunal.

Kësisoj, ai potencon se në krejt këto keqpërdorime ka punë Prokuroria, të cilën e ka ftuar t’i hetojë këto raste.

Opozita shton se Komuna ka dështuar t’i realizojë edhe së paku dhjetë projekte të tjera të cilat janë pezulluar.

Nga ana tjetër, drejtori i Bujqësisë mohon se këto mjete u keqpërdorën.

Sipas Murat Hoxhës, ato para u shpenzuan për shlyerjen e borxheve ndaj operatorëve të ndryshëm.

Kjo drejtori, për shkak të uljes së buxhetit për 200 mijë euro më pak për këtë sektor sesa në vitin paraprak, ka arritur ta realizojnë vetëm një projekt në bujqësi, e që është ndërtimi i disa serave në vlerë të 41 mijë eurosh.