Subjekti opozitar PDK, dega në Lipjan nëpërmjet një konference për medie të hënën ka akuzuar qeverisjen lokale me arsyetim se po i zvarrit projektet sportive në disa lokalitete.
Sekretari i këtij subjekti, Agon Bahtiri, ka thënë se në fshatin Dobrajë dhe Lipjan po zvarritet projekti i ndërtimit të stadiumit dhe palestrës sportive e, si pasojë e kësaj klubet sportive po i zhvillojnë aktivitetet në qytete të tjera.
“Mungesa e investimeve nga ekzekutivi po i dëmton klubet sportive në Komunën e Lipjanit sepse tashmë të gjithë jemi në dijeni se në mungesë të stadiumeve në Komunën tonë dy skuadrat e futbollit nga Lipjani po i humbin pikët derisa ato vazhdimisht ndeshjet po i luajnë si mysafire nëpër stadiume të qyteteve të tjera. Në fundjavë ishte ndeshja e parë e kampionatit në ligën e parë, ku klubi ynë KF “Arbëria” e cila ishte vendase mirëpo në mungesë të stadiumit është detyruar të luaj larg tifozëve të saj në qytetin e Shtimes ku aty edhe humbi pikë”, ka thënë Bahtiri.
Sipas tij, po ashtu edhe klubi tjetër i futbollit “Ulpiana” gjatë vikendit ka zhvilluar një lojë në qytetin e Therandës megjithëse është dashur të jetë si vendase dhe si pasojë e kësaj e humbi ndeshjen.
“Ekzekutiv i Komunës së Lipjanit në mungesë të investimeve të duhura beri që KF “Arberia” të bie nga superliga, pasi që tetë vite nuk po arrin që ta finalizoj stadiumin. Kjo çështje po na shqetëson të gjithëve duke mos e kritikuar ekzekutivin vetëm nga këndi opozitar por nga këndi qytetar dhe nga këndi i lojtarëve të cilët pavarësisht se po e japin maksimumin në secilën ndeshje”, ka thënë midis të tjerash Bahtiri.
KOHA ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtori i Shërbimeve Publike Rasim Hasani, por ai nuk ka qenë i qasshëm të hënën.