Partitë opozitare në Kamenicë kanë akuzuar pushtetin lokal për keqmenaxhim. Sipas LDK-së dhe PDK-së në këtë komunë, pushteti aktual shpenzon mjete nga ndarja për investime kapitale për të paguar punëtorët tepricë, përfshirë arsimtarët pas reformës së nisur nga kryetari Qëndron Kastrati.
Megjithatë, nga pushteti në Kamenicë kanë thënë se kjo komunë ka nevojë për mbështetje më të madhe nga Qeveria.
Bazuar në planin e prokurimit të komunës së Kamenicës për këtë vit janë paraparë që të realizohen vetëm 6 kontrata për punë në vlerë prej 407 mijë euro. Për ndërtimin e rrugëve është ndarë një shumë në vlerë 174 mijë euro kurse për rregullimin e kanalizimit është ndarë një shumë simbolike në vlerë prej 10 mijë euro. Komuna për renovimin e shkollave ka ndarë 50 mijë euro dhe 20 mijë euro tjera janë ndarë për ndërtimin e aneksit te shtëpia e komunitetit dhe për sanimin e gjendjes nga fatkeqësitë natyrore është ndarë një shumë prej 10 mijë euro. Kurse 143 mijë euro do të përdoren për participim në projekte të ndryshme me donatorë. Mirëpo nuk është paraparë asnjë cent për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në zonat rurale dhe urbane. Kamenica ka një buxhet në vlerë prej 9 milionë e 401 mijë euro mirëpo këto mjete janë të destinuara kryesisht për paga dhe mëditje për mallra dhe shërbime dhe kategori tjera gjersa shuma e ndarë për kategorinë e investimeve kapitale është e vogël.
Këshilltari komunal nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besnik Rudhani, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ndan mjete buxhetore për një komunë duke u bazuar në numrin e banorëve. Ai thotë se numri i banorëve në këtë komunë ka shënuar rënie dhe Qeveria ka zvogëluar buxhetin për këtë komunë. Thotë se përkundër rënies së numrit të banorëve nuk ka pasur zvogëlim të numrit të punëtorëve të cilët janë të angazhuar nga komuna dhe kjo është më e theksuar tek sektori i arsimit. Ai thotë se komuna shpenzon mjete financiare për punëtorët të cilët tani konsiderohen tepricë.
“Numri i nxënësve ka rënë, dhe buxheti për arsim është dukshëm më i vogël sesa ka qenë vitet e kaluara. Tani për mbulimin e pagave mjetet merren nga investimet kapitale domethënë komuna i mbulon. Komuna ose duhet t’i largojë ata 200 mësimdhënës që të ruajë buxhetin ose t’i mbajë në sistem. Rreth 1 milion euro shkon për pjesën e arsimit”, ka thënë Rudhani për KOHËN.
Ndërkaq edhe këshilltari komunal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Florim Kryeziu deklaron se asnjë qeverisje komunale nuk ka arritur që të zhvillojë një reformë ngase në rast të implementimit shumë punëtorë të cilët konsiderohen tepricë në komunë do të duhej të largoheshin nga puna.
“Kryetari i komunës ka dashur që të realizojë një reformë ngase janë 364 punëtor tepricë dhe në arsim e kemi problemin më të madh. Tani nga investimet kapitale po i tërheqin dhe po i qesin te pagat. Tash qysh të largohen ata punëtorë tepricë në këtë kohë. Mirëpo çdo qeverisje komunale e cila do të vijë do të ketë të njëjtin problem. Nuk mund të largohen ata punëtorë, kurse me i mbajt atëherë nuk ka mjete për investime kapitale” ka thënë ai.
Ndërkaq nga zyra e kryetarit të komunës kanë thënë se qeveria nuk i ka mbështetur në kërkesat e tyre për financim të projekteve. Shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Kamenicës, Meriton Ramabaja ka deklaruar se ata kanë dërguar shumë kërkesa për financim të projekteve.
“Kemi një territor pothuajse sa Prishtina dhe vetëm t’i kryejmë shërbimet atëherë edhe kemi rritje të kostos. Këtë vit nuk është që kemi edhe shumë projekte. Kemi dërguar shumë kërkesa edhe vitin e kaluar mirëpo nuk është që kemi pasur mbështetjen e duhur. Tash kuptohet politika e Qeverisë së re e cila deklaron se ka trashëguar borxhe dhe se janë të fokusuar që të realizohen projektet aktuale. Mirëpo dihet se në krye të komunës kemi një qeverisje e cila është e zellshme dhe kemi arritur të shpenzojmë buxhetin 82 për qind dhe meritojmë që të kemi një mbështetje më të madhe”, ka thënë ai.