Opozita në komunën e Istogut ka akuzuar ekzekutivin e kësaj Komune për mungesë të investimeve në rrjetin e kanalizimeve. Sipas opozitës, edhe pas 21 vite të qeverisjes lokale në këtë komunë, mungon sistemi i kanalizimit në vendbanimet e Istogut.
“Çështja e kanalizimeve është shumë problematike dhe Komuna e Istogut nuk po i kushton rëndësi. Prej 52 vendbanimeve që ka komuna jonë, vetëm në 15 prej tyre kanë shtrirje të rrjetit të kanalizimit”, pohon këshilltari i subjektit opozitar Vetëvendosje, në Kuvendin Komunal të Istogut, Agron Avdijaj.
Ai thotë se përveç kësaj edhe në këto 15 vendbanime shtrirja është e pjesshme dhe se një pjesë e këtij rrjeti të kanalizimit ka ekzistuar edhe para 21 viteve.
“Edhe vendbanimet që kanë kanalizim në një lagje dhe tjetra s’ka, komuna konsideron sikur ka kanalizim. Me këtë trend të qeverisjes lokale dhe shtrirjes së rrjetit të kanalizimit duhen edhe afërsisht 65 vite tjera qeverisje kësisoj për të pasur një shtrirje në të gjitha vendbanimet e komunës së Istogut”, akuzon Avdijaj Komunën për mungesë të investimeve në ndërtimin e kanalizimeve në vendbanimet e Istogut.
Këto akuza opozita kryesisht i bazon në një hartë, që është e publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Istogut, në të cilën janë të rrumbullakuara vendbanimet të cilat kanë kanalizim në këtë komunë. Dhe në atë hartë janë 15 vendbanime që janë me kanalizim. Por në komunë pohojnë se kjo hartë ende nuk është aktualizuar, pasi me rrjet të shtrirë të kanalizimit janë 30 lokalitete apo më shumë se gjysma e vendbanimeve në këtë komunë.
Drejtori për Shërbime Publike, Enver Rugova, ka thënë se komuna nuk ka mbetur prapa me investime në kanalizime, duke shtuar se mbi 70 për qind e banorëve të Istogut kanë rrjet kanalizimi.
E për sivjet, sipas Rugovës, janë pesë projekte për ndërtim të rrjetit të kanalizimit me vlerë të përgjithshme prej 210 mijë euro.
Mirëpo, opozita gjithashtu akuzon komunën se edhe planifikimin për kanalizime e bëjnë gabim, për shkak se siç thotë këshilltari i VV-së në Kuvendin e Istogut, Agron Avdijaj, në këtë komunë nuk ka impiante për trajtimin e ujërave të zeza dhe sipas tij, bëjnë plane për kanalizime që pastaj dështojnë.
Rugova nga ana tjetër pranon se problemin më të madh e kanë me derdhjen e ujërave të kanalizimeve, të cilat derdhen kryesisht në lumenj dhe përroska.
Impiante funksionale nuk ka asnjë, ndonëse vite më parë ishin ndërtuar dy impiante. Një në fshatin Tomoc, i cili në fakt siç thotë Rugova nuk ka qenë impiant por vetëm një lloj kulluesi i ujërave të zeza me një filtër.
Impiant pak ma i kompletuar ka qenë në fshatin Bajicë, buzë lumit Drini i Bardhë, i cili është ndërtuar para 13 viteve por kurrë nuk ka hyrë në funksion. Ky impiant ishte ndërtuar në bashkëfinancim të Komunës me një organizatë ndërkombëtare, e cila edhe e kishte ndërtuar. Por për shkak të mosmirëmbajtjes së mirë, pas një kohë të shkurtër pompat janë prishur dhe impianti nuk ka funksionuar më. Që një kohë uji i pa trajtuar i këtij impianti derdhet në Drinin e Bardhë.
Ky impiant, sipas Rugovës nuk ka qenë edhe i modelit të tillë që është duke u ndërtuar në Pejë, që është një impiant shumë modern me kosto 23 milionë euro. Për impiante moderne që lëshojnë ujin e pastër në lum pas trajtimit të ujërave të zeza, Rugova thotë se komuna e ka një projekt ideor, por që do del i kushtueshëm me miliona euro.
“Aktualisht jemi duke bërë studimin e fizibilitetit dhe matjet. Dhe diku me një parallogari ky projekt kushton mbi 12.5 milionë euro. Me këtë projekt parashihet ndërtimi i 13 impianteve të vogla në pjesë të ndryshme të komunës së Istogut dhe pastaj ujërat e këtyre impianteve që do të mbledhin ujërat e zeza të gjithë komunës së Istogut, do të shkarkohen për trajtimin e fundit në impiantin kryesor që parashihet me këtë projekt të ndërtohet në fshatin Zallq dhe nga aty pastaj ujërat e pastra do të derdhen në lumin Istog”, tha Rugova për projektin që është aktualisht vetëm në letër.
Për këtë projekt, më të cilin do të rregullohej edhe rrjeti ekzistues i kanalizimeve, mungojnë mjetet, dhe me buxhetin e saj, siç thotë Rugova, Komuna nuk ka mundësi ta realizojë. Për realizimin e këtij projekti, tha se ekziston mundësia që komuna sivjet të aplikojë për marrjen e kredisë në fondi e shtetit austriak, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë, për lejimin e kredive të buta për institucionet e Kosovës në kuadër të programit “soft loan”.