Opozita në komunën e Gjilanit kritikon qeverisjen komunale e cila drejtohet nga kryetari Lutfi Haziri se ka menaxhuar dobët me projektet e infrastrukturës. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje një menaxhim i tillë është edhe qendra e qytetit ku trafiku zhvillohet me vështirësi pavarësisht se ka pasur zgjerim të rrugës.
Vetëvendosje thekson se krahas zgjerimit të rrugës është dashur që të ndërtohen nënkalimet për këmbësorë, sepse sipas saj, nënkalimet do të shfrytëzoheshin nga qytetarët dhe në këtë mënyrë nuk do të pengohej rrjedha e trafikut.
Këshilltari komunal Arianit Sadiku thekson se është e i nevojshëm ndërtimi i një nënkalimi në afërsi të shkollës “Thimi Mitko” si dhe ndërtimi i një nënkalimi në afërsi të objektit të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare.
VV-ja akuzon komunën se ka lejuar që të zhvillohen projekte të cilat nuk kanë një planifikim të mirë.
“Për mos me ngadalësu lëvizjen veturave në qendër atëherë është i nevojshëm ndërtimi i nënkalimeve. Po ashtu duhet të planifikohen edhe rrugë alternative. Puna e nënkalimeve është dashur që të kryhet krahas zgjerimit të rrugës. Mirëpo për shkak se komuna udhëhiqet nga njerëz të padijshëm dhe që nuk kanë vullnet sot në qendër të qytetit trafiku zhvillohet me probleme po ashtu edhe ndotja është nivel të lartë” ka thënë Sadiku.
Ndërkaq këshilltari komunal Shefik Surdulli nga Partia Demorkatike e Kosovës thekson se është i nevojshëm riorganizimi i komunikacionit.
“Këto rrethrrotullime të cilat janë afër njëra tjetrës në praktikë po duket se po sjellin telashe për qarkullimin e automjeteve. Besoj se duhet një riorganizim profesional i komunikacionit në atë pjesë po edhe në pjesë tjera të qytetit ku mund të ketë telashe të tilla. Ka vërejte nga qytetarët për këtë çrregullim dhe në Kuvend e kemi debatuar këtë çështje kur ishte puna e zgjerimit të rrugës me katër korsi ku si opozitë kemi dhënë vërejtjet tona edhe për rrethrrotullimin përballë Tetarit të qytetit” ka thënë Surdulli.
Por komuna vlerëson se është bërë një punë e mirë në qendrën e qytetit me zgjerimin e rrugës dhe ndërtimin e rrethrrotullimeve.
Drejtori i shërbimeve publike, Naser Korça ka deklaruar se nuk ka alternativë tjetër të riorganizimit.
“Rrethrrotullimet janë zgjidhja më e mirë e shkarkimit te komunikacionit. Edhe në Gjilan kjo është zgjidhja më e mirë që është bërë. Alternative tjetër nuk ka” ka thënë Korça.
Në lidhje me këtë çështje KOHA ka kontaktuar me ekspertin e komunikacionit Nol Dedaj. Ai thotë se në zonat urbane është i nevojshëm ndërtimi i nënkalimeve dhe krijimi i shtigjeve për çiklistë. Thotë se nuk preferohet që rrethrrotullimet të kenë një afërsi.
“Nëse ato dy qarkullime rrethore ka probleme atëherë duhet të shkohet me nënkalime dhe me eliminu faktorin njeri. Po ashtu duhet të krijohen shtigje për çiklistë. Dhe kur të krijohen këto atëherë besoj që trafiku zhvillohet pa probleme. Dy kryqëzime të rrugëve nuk preferohen me qenë nën 200 metra. Për shkak të kritereve të sigurisë sepse krejt qëllimi është që të kemi sa më pak pika konflikti” ka thënë Dedaj.