Arbëri

Opozita në Gjilan kritikon komunën për shpenzime në tenderë

Që nga 2017-a e deri në fund të vitit 2019, kompania “Eurotec” e kontraktuar nga komuna e Gjilanit ka furnizuar me material higjeniko-sanitar, Drejtorinë e Arsimit, Institucionet parashkollore, QKMF-të si dhe të gjitha njësitë e tjera shpenzuese në këtë Komunë.

Kjo, komunës për këta tre vjet i ka kushtuar 86,929 euro.

Përderisa për tre vjetët e ardhshëm për të njëjtin material, Komuna e Gjilanit ka kontraktuar kompaninë “Central Group Company”, e cila ka fituar tenderin në vlerë prej 201 mijë e 600 eurosh, raporton KTV.

Kjo kompani do të furnizoj me material higjeniko-sanitar vetëm Drejtorinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky trend i shpenzimeve në Komunën e Gjilanit duhet ndalet.

Arbreshë Kryeziu nga ky subjekt politik, thotë se ka edhe shumë tenderë të tjerë që përkundër që sipas ligjit, duhet të fitojë ofertuesi më i lirë në Gjilan, sipas saj, është e kundërta.

Drejtori i Prokurimit në Komunën e Gjilanit, Izet Kurteshi, e ka mbrojtur veprimin e komunës.

“Kontrata e lidhur tani për furnizim me material higjenik është me çmimin e peshuar dhe andaj, sipas Ligjit të prokurimit Publik, të gjitha aktivitetet e zhvilluara me procedurën sipas çmimit të peshuar. Kontratat lidhen me vlerën e parashikuar, që do të thotë se kjo kontratë është lidhur sipas çmimit të peshuar dhe është kontratë për njësi me vlerën e paraparë”, ka thënë Kryeziu.