Arbëri

Opozita në Gjakovë nuk u përfshi në komisione të rëndësishme, ankohet për diktaturë

Mospërfshirja e anëtarëve të opozitës në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave të Palëve në Procedurën e Dhënies në Shfrytëzim të Pronës Komunale në KK të Gjakovës, ka zgjuar reagime të ashpra në radhët e opozitës në këtë komunë.

“Arrogancë e numrave”, “masakër mbi demokracinë”, janë disa nga kualifikimet e opozitës për këtë veprim.

Komisioni i paraparë prej 5 anëtarëve, ku parashihen 2 anëtarë nga ekzekutivi komunal, 2 nga Kuvendi Komunal dhe një nga shoqëria civile, është votuar pa asnjë anëtar të opozitës dhe me një përfaqësuese të shoqërisë civile që opozita e quan “militante të AAK-së”.

Këtë mospërfshirje e cila ndodhi një ditë më parë në KK të Gjakovës, Mimoza Shala nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka quajtur “diktaturë dhe jashtë çdo norme demokratike të përfaqësimit qytetar”.

Veç këtij komisioni opozita nuk do të jetë e përfaqësuar as në komisionet e aksionarëve ku mbikëqyret puna e ndërmarrjeve publike komunale.

Shala ka tërhequr vërejtjen se “në kuadër të keqpërdorimit të pushtetit”, pushteti i AAK-së në Gjakovë në emër të shoqërisë civile e ka përfshirë në komision një militante të saj, "duke përmbushur 100% ndikimin politik në këtë komision".

Këto veprime anëtarja e KK të Gjakovës nga LVV i quan “shkelje serioze të mbizotërimit të demokracisë” dhe “refuzim të vullnetit qytetar” pasi LVV-ja është subjekti i dytë në KK të Gjakovës, me vetëm një votë më pak se subjekti i parë, AAK-ja.

Ali Tafarshiku, po ashtu anëtar i Vetëvendosjes në KK të Gjakovës ka shfaqur mllefin e tij për veprimet arbitrare të pushtetit të Gjakovës.

“Komuna e Gjakovës shkeli demokracinë, vlerat e zgjedhjeve të lira dhe rezultatet e këtij procesi. Vetëm 750 vota kemi dallim nga partia në pushtet. Ata me 11 asamblistë, ne me 10. Nuk mund të trajtohet vullneti i qytetarëve në bazë të pazareve politike”, është shprehur në një reagim Tafarshiku. "Na përjashtuan në mënyre diktatoriale nga përfaqësimi që na dhuruan qytetarët".

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar anëtaren e vetë për në komisionin të cilit po i kontestohet përbërja, por ka hasur në refuzimin votues te shumicës. I ka propozuar edhe 2 përfaqësues të tjerë nga shoqëria civile si kundërvënie ndaj përfaqësueses së shoqërisë civile Nora Kulludra, që e kishte futur në listë pushteti, por edhe ata emra janë rrëzuar me votën e shumicës në Kuvend.

Tafarshiku ka publikuar në rrjete sociale profilin e përfaqësueses së shoqërisë civile të përfshirë nga pushteti komunal, ku ajo shihet duke mbështetur në zgjedhje drejtoreshën aktuale të Arsimit nga AAK-ja dhe kryetarin Ardian Gjini.

Pasi të gjitha propozimet dhe përpjekjet e Vetëvendosjes janë rrëzuar, kuvendarët e Vetëvendosjes e kanë braktisur seancën në shenjë proteste.

Shala këtë të marte ka bërë me dije për KOHËN se është përgatitur ankesë ndaj veprimeve të pushtetit komunal të Gjakovës të cilën e kanë nënshkruar gjithë opozita e kësaj komune, drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Përfshirjen në ankesë dhe në protestën ndaj përjashtimit të opozitës nga komisionet e rëndësishme komunale e ka pohuar për KOHËN edhe Teki Shala, shefi i anëtarëve të LDK-së në KK të Gjakovës.

Ndryshe Shala dhe kolegët e tij nga LDK-ja nuk e kanë braktisur seancën, por e kanë sfiduar pushtetin me heshtje dhe mospjesëmarrje në votim.

Përjashtimi komplet i opozitës nga komisionet e përmendura në këtë temë, sipas opozitës së kësaj komune, po ndodhë për herë të parë.

Por përfaqësuesit e pushtetit komunal nuk po shohin ndonjë problem në këtë mospërfshirje të opozitës në këto komisione.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjakovës, Arbnesha Kuqi, e cila këtë post e ka marrë falë koalicionit PDK-AAK në Gjakovë, ka thënë për KOHËN se ankesat e opozitës gjakovare kanë të bëjnë me "vullnetin e shumicës".

"Nuk ua kemi mohuar të drejtën e propozimit anëtarëve të opozitës, as atë të votimit, i kanë propozuar kandidatët e vetë, është votuar për secilin kandidat të propozuar, veç e veç dhe rezultati ka dalë në bazë të votimit të lirë të secilit anëtarë të Kuvendit, ai ishte vullneti i shumicës", është shprehur kryesuesja e KK-së.

Edhe shefi i anëtarëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Nik Hiseni ka thënë se në këtë rast kemi të bëjmë me votën e lirë të kuvendarëve.

"Është problem i opozitës dhe vendim i saj nëse dëshiron të qëndrojë në sallë apo ta lëshojë atë, por ata i kanë bërë propozimet e veta, kanë marrë pjesë në votim dhe vetëm pasi humbën në votim, e lëshuan seancën, e tillë ishte vota e lirë e anëtarëve të kuvendit", është shprehur Hiseni.

Përfaqësuesja e zgjedhur në emër të shoqërisë civile në komisionin që po e atakon opozita e Gjakovës i ka mohuar akuzat se është militante e AAK-së.

“Jo nuk është e vërtetë kjo, jam pjesë e shoqërisë civile nga viti 1999, unë nuk jam anëtare e asnjë partie politike, por të drejtë vote kam si çdo qytetar”, ka thënë Nora Kulludra për KOHËN. Por ajo nuk e fsheh simpatinë për programin e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.

“Programi zgjedhor i Ardian Gjinit për mua personalisht ka qenë më i miri”, ka theksuar ajo, teksa i është tërhequr vëmendja për postimet mbështetëse të saj në adresë të kryetarit Gjini.

“Po si çdo OJQ që e kanë përkrahë në zgjedhje komunale partinë e pëlqyer të tyre, në kohë të ndryshme”, është shprehur Kulludra.

Ajo ka bërë me dije se ka qenë në komisionin e tillë edhe në vitin 2019.

“Unë i kam shërbyer komunitetit që 21 vjet dhe ende i shërbej”.

Kuvendi Komunal i Gjakovës përbëhet nga 35 anëtarë, 11 nga AAK-ja, 10 nga LVV-ja, 5 nga PDK-ja, 4 nga PSHDK-ja, 4 nga LDK-ja dhe 1 nga Nisma Socialdemokrate.

AAK, PDK dhe PSHDK kanë qenë në koalicion parazgjedhor dhe nga ky koalicion tani këto parti e mbizotërojnë Kuvendin Komunal me 20 anëtarë, ndërkaq opozita (LVV,LDK dhe Nisma) mbesin me 15 anëtarë.