Arbëri

Opozita në Fushë-Kosovë ngre dyshime për mosverifikimin e pronave

Prej së paku tre vjetësh, Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka bërë verifikimin e pronave të paluajtshme siç parashihet me ligj. Opozitarët kanë ngritur dyshime se qëllimshëm kjo nuk është bërë, ndërkaq zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur këtyre akuzave

Autoritetet komunale të Fushë-Kosovës kanë shpërfillur Ligjin për tatimin e pronës së paluajtshme, meqë prej tre vjetësh nuk e kanë bërë inspektimin e së paku 20 për qind të pronave, siç parashihet me ligj.

Shkelja është evidentuar në një numër raportesh vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, përfshirë edhe këtë të fundit.

“Sipas nenit 15 të Ligjit nr. 06/L-005 për tatimin në pronën e paluajtshme, Komuna çdo vit duhet të kryejë veprime të inspektimit (verifikimit) për të paktën 20% e të gjitha pronave brenda territorit të Komunës. Komuna nuk ka bërë inspektimin e 20% të pronave të regjistruara, duke mos filluar fare me inspektimin e pronave të regjistruara”, thuhet në raportin e Auditorit.

Zyrtarët komunalë nuk i kthyen përgjigje KOHËS në lidhje me shkeljen e evidentuar në raport. Por, në arsyetimin që kanë dhënë për Auditorin, është theksuar se kjo është bërë shkaku i mungesës së stafit.

Sipas opozitarëve, mosverifikimi i pronave të paluajtshme është duke u bërë qëllimshëm.

“Neni 15 i Ligjit për pronën e paluajtshme i obligon komunat që të bëjnë inspektimin e së paku 20 për qind të pronave. Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka bërë këtë gjë, qysh është edhe gjetje e Auditorit për vitin 2022. Andaj, ne e konsiderojmë që kjo është duke u bërë qëllimisht, qoftë për të favorizuar dikë, ose qoftë për t’ia lehtësuar ndonjë operatori privat sa i përket tatimit në pronë”, ka thënë Durim Hajra, shef i Kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë.

Edhe shefi i kuvendarëve të Partisë Demokratike, Mirsad Qyqalla, ka thënë se mosverifikimi i pronave mund të jetë për interes të dikujt.

“Komunës sonë i përsëriten në vazhdimësi rekomandimet e Auditorit dhe, edhe pse qe dy vjet merr opinion të kualifikuar, nuk bën asnjë veprim për t’i adresuar ato gjetje. Kjo ngjall edhe dyshime, sepse ose është e paaftë për t’i përmirësuar këto rekomandime, ose edhe mund të jetë interes i dikujt mosinspektimi i atyre pronave”, ka thënë Qyqalla.

Ai ka theksuar se Komuna e Fushë-Kosovës vazhdimisht lëshon leje për objekte banesore por, sipas tij, nuk është e gatshme t’i kontrollojë ato dhe për pasojë, ka shumë objekte të papërfunduara me dokumentacion.