E përditësuar në orën 12:07 - Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, po diskuton propozim-rezolutën për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.
Gjatë diskutimit deputetët e opozitës kanë kritikuar Qeverinë për mospunë në sektorin e shëndetësisë. Sipas tyre Qeveria Kurti nuk e ka realizuar asnjë nga premtimet e saj në këtë sektor dhe për tri vjet qeverisje nuk ka lënë asnjë shenjë.
Kritikave u është përgjigjur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka thënë se Qeveria Kurti është dashur të merret me një listë dështimesh të Qeverive të kaluara.
Ai ka thënë se para tri vjetësh kur kanë ardhur në pushtet nuk e kanë gjetur asnjë hap në drejtimin e duhur sa u përket sigurimeve shëndetësore.
Këtë seancë e ka propozuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në rajon pa sigurime shëndetësore.
“Kjo seancë është ftuar bazuar në rrethanat aktuale për gjendjen ne shëndetësi. Vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në rajon pa sigurime shëndetësore. Vetëm ne aspektin kohor kërkohen se paku 2 vjet për Ligjin për sigurimet shëndetësore dhe rregulloret e nevojshme”, ka theksuar Dreshaj.

Haxhiu: Për tri vjet Qeveria s’e ka përmbushur asnjë nga premtimet e saj
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se në debatin e sotëm do të duhej të ishte prezent kryeministri Albin Kurti. “Do të duhej të ishte në debat për të dhënë llogari për degradimin e sistemit shëndetësor, edhe si kryeministër edhe si kryetar i komitetit për shëndetësi. Skandale e hajni korrupsion e keqpërdorime pa dhënë kush llogari”, është shprehur Haxhiu.
Ai ka kritikuar Qeverinë edhe për largim të anesteziologëve e listat e pritjes.
“Më 2020 kanë qenë 64 specialistë të anesteziologjisë prej tyre 22 janë larguar për shkak të presioneve. Listat e pritjes një brengë e madhe, ishin reduktuar më 2019 dhe 2020, për shkak të reduktimit në kardiologji janë kursyer miliona, sot lista e pritjes në kardiologji është mbi 1 vit. Ka kohe që prolongohet blerja e koronografit të ri për shkak të interesave e tenderëve. Në krejt sektorin e shëndetësisë kanë qenë dy aparatura të rezonancës magnetike dhe lista e pritjes ka qenë 0-1 javë, sot me dy aparatura në QKUK, një në Prizren e një në Pejë, lista e pritjes është mbi 5 muaj”, është shprehur Haxhiu.
Sipas tij për tri vjet qeveria nuk e ka përmbushur asnjë nga premtimet e saj për shëndetësinë.
“Kishte premtuar miratimin e strategjisë se re për shëndetësinë, për tri vjet nuk ka arritur ta hartojë një strategji, as dy ligje që i kishin premtuar për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore nuk kanë qenë në gjendje me i sjell në Kuvend. Në programin e saj qeveria kishte thënë një ndër prioritetet është ligji për sigurimet shëndetësore, nuk ka pasur vullnet … si mundet të bëhen sigurimet shëndetësore kur buxhetin për to nuk e shfrytëzon ndërsa në Fond e dërgon njeriun që ta ka degraduar SHSKUK-në”, ka deklaruar Haxhiu.

Zemaj: Kanë shpenzuar 75% të mandatit pa lënë asnjë shenjë në shëndetësi
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka thënë se në këtë seancë do të duhej të kishte më shumë ministra, siç ka thënë, për të folur për shëndetësinë. “Jashtëzakonisht shumë kanë dështuar në këtë sektor. Në karrierën time nuk kam dëgjuar e as parë se një qeveri mund të shpenzojë 75 për qind të kohës në qeverisje pa lënë asnjë shenjë në shëndetësi. Shëndetësia nën qeverisjen e Albin Kurtit është nëpërkëmbur. Në të kaluarën ka pasur mungesë të barnave sot ka mungesë edhe të pajisjeve higjienike … mungojnë gjerat më elementare. Ky është ndryshim, por ndryshim për të keq, degradim”, është shprehur Zemaj.
“Mungesa e sigurimeve shëndetësore është ndër brengat më të mëdha të qytetarëve. Vetëvendosja luajti me premtimet e dhënë e me hallet e qytetarëve. Shëndetësia është e mjeruar me ju”, ka shtuar ai.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka thënë se Qeveria Kurti Ligjin për çmimin e barnave e ka lënë pa zbatuar tash e sa muaj, pasi sipas tij nuk kanë pasur vullnet për ta bërë një gjë të tillë.

Lekaj: Qytetarët po ikin si pasojë e mungesës së sigurimeve shëndetësore
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria Kurti po merret me interesa partiake dhe ka harruar mirëqenien e qytetarëve.
“Sot kemi një seancë të jashtëzakonshme që lidhet me jetën e qytetarëve ndërsa në anën tjetër kemi Qeverinë Kurti që duke u marrë me interesat partiake e ka harruar mirëqenien e qytetarëve. Kemi një ministri të shëndetësisë që ka harruar nevojat e shëndetësisë kosovare, duke u nisur nga kjo mund të themi që 60 për qind e pacientëve që kryejnë shërbimet në institucione private, ja ku na ka sjellë kjo Qeveri”, ka theksuar Lekaj.
Sipas Lekajt qytetarët po largohen nga Kosova si pasojë e mungesës së sigurimeve shëndetësore
“Për tri vjet të qeverisjes Kurti kane ikur mbi 250 mijë qytetarë ku sot me një matje reale Kosova nuk ka mbi 1 milionë banorë rezidentë. Pika më e dobët për ta janë sigurimet shëndetësore, se nuk e shohin Kosovën ambient të sigurt për pune e për jetë.

Vitia fajëson qeveritë e kaluara për mungesë të sigurimeve shëndetësore
Kritikave u është përgjigjur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili përgjegjësinë për gjendjen në sektorin e shëndetësisë ua ka hedhur qeverive të kaluara e ka thënë se deri në vitin 2022 ata janë marrë vetëm me menaxhim të pandemisë.
“Është padyshim e mirëpritur të flitet për tema me rëndësi. Në tekstin e profesor Dreshajt është përmendur prej 2014, se si është zvarritur. Prej atëherë nuk kam parë ndonjë iniciativë as nga partia së cilës i jeni bashkuar profesor Dreshaj. Kërkoj nga ju ta pyesni subjektin tuaj”, është shprehur Vitia
Ai ka thënë se i vjen mirë që e kanë rastin të debatojmë se çka ka ndodhur me sigurimet shëndetësore gjate gjithë këtyre viteve.
“Ne më 2019 kemi thënë se Fondi për Sigurimet Shëndetësore nuk mund të funksionalizimet pa 4-5 vjet punë intensive. Partitë tjera në fushatë bënin premtime e garë se kush prej tyre do ta bëjë për 18-24 muaj. Në fushatën e 2021 premtimi kryesor ka qenë menaxhimi i pandemisë që e kemi arritur me sukses. Deri më 2022 të gjitha institucionet janë marrë me pandeminë. Kushdo që thotë se kanë kaluar 3 vjet është dashakeqës dhe duhet t’i shohë lajmet se çka ka ngjarë”, është shprehur Vitia.
Ai u ka hedhur qeverive të kaluara përgjegjësi për mungesë të sigurimeve shëndetësore.
Vitia: Qeveria është dashur të merret me një listë të madhe dështimesh
“Asnjë hap në drejtimin e duhur nuk e kemi gjetur kur kemi ardhur në qeverisje sa i përket sigurimeve shëndetësore. Asnjë presion i çfarëdo forme nuk më bën përshtypje kundrejt punës që po bëhet pa shumë bujë drejt sigurimeve shëndetësore. Historia e sistemit informativ shëndetësore është histori e dështimit epokal. Jo më mirë as pajisjet tjera. Qeveria është dashur të merret me një listë të madhe dështimesh. Dështimet të lidhura ngushtë me subjektet e deputeteve paraprakë. A ju kujtohen profesor disa kompjuterë të mbështjellë me qese që ishin blerë para dhjetë vjetëve, a e dini profesor se janë harxhuar miliona për blerjen e këtyre kompjuterëve, ata janë ende aty se nuk ishin siguruar softuerët”, ka theksuar Vitia.
Ai ka thënë se reforma që janë duke e bërë në sektorin e shëndetësisë “duhet të jetë e pakthyeshme me zero gjasa për dështim”.
Vitia ka thënë se kanë trashëguar Klinika me më shumë specialistë sesa shtretër.
Ai ka theksuar se ka staf të patrajnuar, ka punësime të militantëve e punësime të familjarëve. “A e dini çka ka ndodhur, janë paguar ekspertë për të trajnuar stafin e sigurimeve shëndetësore, ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete, e janë paguar për t’i trajnuar ekspertët që të shkojnë ta trajnojnë stafin në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore”, është shprehur Vitia.
