Votimi i Ligjit për Buxhet të enjten në Kuvend, sipas opozitës, interferon edhe në Ligjin për Paga. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se edhe koha e ofruar për trajtimin e projektligjit të buxhetit ishte e pamjaftueshme për të paraqitur amendamente
Zyrtarë opozitarë kanë kritikuar shumicën në Kuvend për procedurën e ndjekur për votimin e ligjit për buxhet, e edhe për përmbajtjen e tij.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se deputetëve dhe organizatave buxhetore u janë dhënë vetëm 41 orë kohë për propozim amendamentesh të projektligjit 738 faqesh.
Tahiri tha se me Ligjin për Buxhet, qeveria ka ndërhyrë në atë për Pagat, pas vendimit për rritje të sasisë së koeficienteve e jo vlerës së tyre.
“Ligji për Buxhetin, si një ligj i përgjithshëm, dhe Ligji i Pagave, si një ligj i veçantë dhe organik, kanë raporte specifike mes tyre. Ndryshimet në një ligj të veçantë nuk mund të bëhen përmes një akti tjetër ligjor. Thënë ndryshe, ndryshimi i strukturës së koeficienteve nuk mund të bëhet me asnjë akt tjetër përveçse përmes një procesi të posaçëm të plotësim-ndryshimit që kërkon procedurë të veçantë”, ka thënë Tahiri.
Ligji për Pagat thotë se ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave.
Për ta bërë atë kërkohet amendamentim i Ligjit, të cilin Qeveria nuk e ka bërë.
E anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Mustafa, tha se vendimi për rritje të pagave ishte elektoral.
“Rritja për 55 euro nuk është serioze. Sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës për shkak të kostos së madhe të jetesës kërkojnë një rritje shumë më të madhe të pagës se 55 euro, nëse dëshirojmë që me të vërtetë t’ia përmirësojmë qytetarit të Kosovës aftësinë paguese dhe standardin e jetesës”, ka thënë Mustafa.
Rritjen e pagave që nga janari 2025 e paralajmëroi kryeministri Albin Kurti në një konferencë të mbajtur në fund të muajit tetor.