Opozita lëshon sallën pasi s’ka debat për përgjimin e Kusari-Lilës me Radoiçiqin
Deputetët e opozitës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit pasi nuk u aprovua kërkesa e tyre për të debatuar rreth përgjimit në të cilën është përfshirë Mimoza Kusari-Lila dhe Milan Radoiçiq.
50 vota ishin kundër dhe 34 pro votuan që ky debat të futej në rend dite.
Seanca dështoi pasi në sallë mbeten vetëm 60 deputetë.
Kusari-Lila opozitës: Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radoiçiqit
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke iu drejtuar opozitës pas kritikave të shumta ndaj saj, ka paralajmëruar se mund të dalin fotografi nga përurimi i shtëpisë së terroristit Milan Radoiçiq e dhurata për fëmijët e tij nga zyrtarë e mëhershëm në Qeverinë e Kosovës.
Kusari-Lila ishte në qendër të kritikave gjatë seancës së sotme, pasi u publikuar edhe një përgjim në të cilin ajo bisedon me Radoiçiqin.
“Kjo çka ka dalë dje, është fabrikim i plotë. Imagjinoni kur të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radoiçiqit. Imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës. Imagjinoni kur dalin kush e ka vizitu e kush ka pas biznese. Juve po ju them votimi në lexim të parë i Ligjit për Pagën Minimale ka ndodhë në maj të vitit 2022. Ju keni dalë jashtë, Lista Serbe ka hy brenda. Pyetja e vetme që ju kam bë Listës Serbe është pse jeni këtu”, ka thënë ajo.
Sipas saj, dikujt në Kuvend po i mungon Lista Serbe.
“Abelard, në asnjë formë nuk po mundeni ta pasqyroni dhe atribuoni bashkëpunimin që keni pasur ju me Listën Serbe e me i barazu, prandaj po doni me bë shpifje dhe falsifikime. Aq shumë po ju mungojnë se nuk janë këtu prezent që 28 muaj me Qeverinë Kurti e me këtë pozitë Lista Serbe nuk është në Kuvend. Ju në pamundësi për me i pasë ata me ju ndihmu, duheni të fabrikoni. Slavko Simiq prej qershorit të vitit 2022 nuk është ulur në këto ulëse. Radoiçiqi me Qeverinë Kurti është i përndjekur prej Interpolit dhe Kosovës e natyrisht nuk ka shanse të kthehet në Kosovë, asnjëherë, vetëm duarlidhur. Kur po flisni për këto bashkëpunime ju kujtoj Time Kadrijaj se në Qeverinë ku ke qenë ti, keni qëndruar në Kuvend shtatë orë për ta pritur Listën Serbe për me ardh prej Beogradit me t’i jep votat që Haradinaj të bëhet kryeministër”, ka deklaruar Kusari-Lila.
VIDEO:
Gashi për përgjimin mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit: Është fatkeqësi kombëtare
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se përgjimi në të cilin është përfshirë shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristi Milan Radoiçiq, është fatkeqësi kombëtare.
Gashi ka shprehur keqardhje për mënyrën se si ka degraduar debati në Kuvendin e Kosovës.
“Është për keqardhja ku ka mbërritur debati publik në Kosovë. Debati ka mbërri në pikën ku po përfshihet terroristi Radoiçiq. Është fatkeqësi që e dëmton sakrificën e secilit qytetar të Kosovës. Sot çka po dëgjojmë këtu dhe ajo që pamë dje është vazhdë e logjikës të cilën e ka ndërtuar LVV-ja, logjikë e përbaltjes duke qenë vetë e zhytur deri në fyt me kriminelët si Radoiçiqi. Ky është tmerri i demokracisë dhe përfaqësimit të Kosovës. Çka po gëzoheni, çka po duartrokitni? Ai është terrorist që ka kryer krime ndaj Kosovës. Është e kuptueshme që grupet politike në Kuvend duhet me u koordinu mes vete, por jo me u koordinu me kriminelë. Kuvendi i Kosovës zonë krimi. Interesi i Kosovës nuk është me u koordinu me Milan Radoiçiqin. Pse Vetëvendosje duhet të flasë me të, çka përfaqëson LVV-ja në këtë rast cilat janë vlerat demokratike e të përfaqësimit të kësaj partie? Pra vlerat e demokracisë, institucionalizimit, duhet me u përfaqësu këtu, jo vlerat e këtij rrugaqi. Është fatkeqësi kombëtare në rastin më të lehtë. Nuk duhet t’i duartrokitet një fatkeqësie kombëtare”, ka thënë Gashi drejtuar deputetëve të VV-së.
PDK-ja vendos “vijat e kuqe” për LVV-në derisa Kusari-Lila është shefe e Grupit Parlamentar
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që seanca e sotme e Kuvendit t’i kushtohet përgjimit në të cilin është përfshirë shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe terroristit Milan Radoiçiq.
Tahiri të enjten në seancë ka thënë se nuk do të bashkëpunojnë e as nuk do të votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë përderisa Kusari-Lila do të vazhdojë të jetë si shefe e GP të LVV-së.
“Nuk do të bashkëpunojmë, nuk do të votojmë marrëveshje ndërkombëtare as çështje të tjera përderisa e keni në krye të grupit një person që e ka kontaminuar këtë Kuvend”, ka thënë Tahiri.
Ai ka kërkuar që debati për çështjen e përgjimit të vendoset në rend dite pa procedura, diçka të cilën e ka konsideruar të pamundur kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Shefja e GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, i ka quajtur këto pretendime si "shpifje dhe fabrikim".
Mediumi “Paparaci” të mërkurën ka publikuar një përgjim në të cilin Kusari-Lila bisedon me terroristin Milan Radoiçiq. Flasin për votimin e pagës minimale e votimin e një gjyqtari të Kushtetueses. Kusari-Lila e ka quajtur “të montuar” përgjimin.
VIDEO: