Deputetët e opozitës e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, ku është paraparë të mbahet seanca plenare.
Këtë e kanë bërë në shenje revole për vlerën e koeficientit të pagave prej 105 eurove, që është votuar të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria që ta rishqyrtojë këtë vlerë.
“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së shprehim zhgënjimin me përcaktimin e koeficientit. Ky ëhstë një koeficinet i mjerimit e thellon varfërinë. I demotivon të rinjtë e të rejat, prandaj mendoj që vazhdimi i kësaj seance është i pakuptimtë. Kërkojmë nga Qeveria që ta rishqyrtojë këtë koeficient. Si Grup Parlamentar në shenjë revolte sot nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se koeficienti i pagave nuk adreson as për së afërmi çështjen e inflacionit.
“Në një Qeveri ku glorifikohet Oliver Ivanoviq, një person i dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, nga një Qeveri e cila e mbron krimin e korrupsionin e Martin Berishajt, nga një Qeveri e cila dyfishon tatimin në pronë e dëmton qytetarët e Kosovës, nga një qeveri e cila kap shtetin, siç ishte rasti i fundit me RTK-në, s’besoj se është dashur të pritur më shumë e as më pak me u zhgënjye. Është ditur dhe është pritur që kjo qeveri që glorif8il0on krimin ndaj shqiptarëve, që mbron korrupsionin e Berishajt e shumë tjerëve, që rrit tatimin ndaj qytetarëve të Kosovës, e nuk merr asnjë masë që lehtëson jetën e qytetarëve të Kosovës, s’mund të presësh të ketë zgjidhje për pagat në sektorin publik. Koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit që ndodhi këto dy vjet, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr. Të paktën është dashur të adresojë inflacionit, i cili për produkte bazë ka arritur rreth 80 për qind., Në këto rrethana s’besoj se është normale të fillojë seanca, sikur s’ka ndodhur asgjë. Dhe mos na konsideroni si pjesë të kuorumit për të filluar seancën”, ka theksuar Gashi.
Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, Qeverinë Kurti e ka quajtur Qeveri të mashtrimeve.
“Nga këto veprime të Qeverisë keni ardhur në Qeveri me mashtrime. Po vazhdoni të mashtroni ju nuk dini gjë tjetër vetëm të mashtroni. Po a po ju vjen turp se kur është miratuar për herë të parë me koeficient 129 keni qenë ju që nuk e keni përkrahë. Është dashur të ketë diskutim publik për atë koeficient por ju e keni mbajtur fshehtë. Në këtë gjendje ekonomike dhe sociale nuk ju ndihmoni qytetarëve”, ka deklaruar Kadrijaj.
Kusari – Lila: Është bërë punë e jashtëzakonshme me Ligjin e Pagave
Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve të opozitës, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se Qeveria ka bërë punë të jashtëzakonshme me miratimin e Ligjit të Pagave dhe caktimin e koeficientit.
Kusari – Lila ka thënë se me Ligjin për Paga ka trajtim të barabartë të punonjësve të sektorit publikë. Ajo ka thënë se koeficienti 105 euro është bazë, pa llogaritur shtesat.
Kusari – Lila ka akuzuar opozitën, për akuzat se nuk po shqetësohet Qeveria për qytetarët.
“Është kjo opozitë që kur kërkonte të ndërhynim në çështje të inflacionit, e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin për vendosje të çmimeve tavan për produktet bazë në tregjet e destabilizuara. Është kjo opozitë që nuk e pranon që ligji për tatim në pronë është miratuar në Kuvend në vitin 2018 dhe po i kërkohet një ministri që ta shkelë ligjin”, ka deklaruar Kusari – Lila nga foltorja e Kuvendit.
Ndërkohë ajo ka thënë se bashkërisht duhet punuar që të përmirësohen kushtet për standardin e punonjësve të sektorit privatë.
“Ky Kuvend e ka radhën të miratojë ligjin për pagën minimale, të rregullojë çështjen për inspektorët e punës, të rregullojë standardin për të gjithë të punësuarit dhe për mirëqenien për të papunët”, ka thënë Kusari-Lila.
Pasi që deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën, seanca është ndërprerë në mungesë të kuorumit.