Arbëri

Opozita kritikon ministren Rizvanolli për qasjen ndaj “Trepçës”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, raportoi në Komisionin për Ekonomi lidhur me gjendjen në minierën e “Trepçës”. Aty u përball me kritikat e përfaqësuesve të opozitës që i kërkuan sqarime për situatën e krijuar në këtë ndërmarrje dhe për mungesën e investimeve kapitale

Mbi 90 për qind të punëtorëve të “Trepçës” iu ekzekutuan pagat të martën, ka thënë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë raportimit në Komision për Ekonomi.

Ajo ka theksuar se pagat u mbuluan me subvencione të Qeverisë, teksa 8 për qind do të paguhen pas arkëtimit të mjeteve nga shitja e koncentratit.

Teksa ka folur për gjendjen në këtë ndërmarrje, Rizvanolli ka thënë se situata ka qenë më e rënduar edhe shkaku i ndikimit të krizës energjetike.

“Si rezultat, ndërmarrja ka qenë në situatë të tillë që ka pasur vonesë të pagesës së plotë të pagës në kohën kur ka filluar greva, përkatësisht gjithë punëtorët e ndërmarrjes kanë pasur të ekzekutuar 55 për qind e pagës ndërsa 45 për qind të tjera kanë qenë në pritje të subvencionit të qeverisë, subvencion ky që është një ditë para se të fillojë greva”, është shprehur Rizvanolli.

Raportimi i saj është përcjellë me kritika të ashpra nga deputetët opozitarë, të cilët kërkuan sqarime për humbjet ditore të shkaktuara gjatë 10 ditëve të grevës së minatorëve.

“Ju thatë që 27 milionë euro kanë shkuar, pra me marrë mesataren, d.m.th pagat për dy vjet qeveria ua paska dhënë minatorëve të Trepçës, e 27 milionë mesatarisht i bie 2 vjet dhe mbesin disa para aty, ato 200 mijë kanë blerë dorëza, pra, në esencë mbi dy vjet pagesat për financimin e punëtoreve Trepçës dalin që kanë shkuar nga subvencionet e qeverisë. Nuk dëgjuam asnjë investim kapital serioz, teknologji apo diçka tjetër”, ka thënë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Kritika pati edhe Valentina Bunjaku, deputete nga radhët e LDK-së.

“Bordin të cilin e keni shkarkuar, a keni qenë e njëjta qeveri që keni emëruar. Cila ka qenë performanca e atij bordi dhe cila e këtij?”, ka thënë ajo.

Për shkarkimin e Bordit, Rizvanolli ka deklaruar se ndodhi në mungesë të një strategjie për ndërmarrjen. E më i ashpër në kritikë është treguar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Si ndihesh si ministre dhe si familjare kur me lejen tuaj i keni ngujuar minatorët për moskomunikim, mosvendim i keni lejuar që të rrezikojnë shëndetin e tyre... Me qenë në pozitën tënde unë do të qaja sot, jo me ardhë këtu me shit mend”, ka thënë Lekaj.

Ai mori shpejt përgjigje nga ministrja.

“Nuk qesha me kërkesat e minatorëve, por me deklarimet e tua”, është shprehur Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se për herë të parë që pas 24 vjetësh ka pasur raportim të rregullt dhe prezencë të drejtorit të njësisë në veri në mbledhje të Bordit, si dhe është audituar edhe njësia veriore e “Trepçës”.

Greva e minatorëve përfundoi më 3 nëntor, pas marrëveshjes me Bordin, nga i cili u dha zotimi për përmbushjen e kërkesave të tyre që pagat t’i marrin deri më datën 10 dhe të shpallet konkursi për kryeshef.