Transferimi i 300 të burgosurve nga Danimarka për në Burgun e Gjilanit ka nxitur debat në Komisionin për Legjislacion. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë të interesuar të marrin sa më pak përgjegjësi. Në anën tjetër, opozita e ka kritikuar vendimin për ardhjen e të burgosurve, duke thënë se po transferohen kriminelë.
Marrëveshja për bartjen në Kosovë të 300 burgosurve nga Danimarka e ka bërë cak të kritikave të opozitës ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë raportimit të saj në Komisionin për Drejtësi.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se partia e tij në parim nuk është kundër kësaj marrëveshjeje, porse ka kritikuar ministren Haxhiu, që nuk ka dhënë sqarime sa duhet.
“Unë nuk thash që jam kundër, as PDK nuk thash që është kundër, kemi paqartësi, dëshirojmë informata shtesë, është njeri i duhur që na jep informata shtesë. Po të them ty, në mungesë të ndonjë marrëveshjeje të mirë për zhvillim ekonomik, po doni me shitë zhvillim ekonomik duke i transferu 300 kriminelë në Kosovë”, ka thwnw Beqa.
Kurse kolegu i tij nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se po të ishte partia e tij në Qeveri, nuk do ta merrte këtë vendim.
“Sikur shteti danez të kishte interes që në Kosovë ta fuqizojë sundimin e ligjit, do të na mbështeste në ngritjen e kapaciteteve tona që ne i kemi. Por jo me na pru kriminelë. Po të kishte besim shteti danez në shërbimin korrektues tonin, nuk do të na sillnin edhe drejtorin e atij burgu, ata me menaxhuar edhe stafin menaxherial”, wshtw shprehur Selmanaj.
Ndërkaq ministrja Haxhiu ka thënë se janë të interesuar të marrin sa më pak përgjegjësi për të burgosurit nga Danimarka.
“Ndonëse ne jemi të interesuar, kjo nuk është vendosur, ndonëse ne jemi të interesuar të marrim sa më pak përgjegjësi në këtë drejtim. Prandaj edhe do të insistojmë në këtë drejtim, pavarësisht diskutimeve që do të bëhen, ne do të insistojmë që mos të marrim shumë përgjegjësi, pra ta ketë përgjegjësinë Danimarka. Në momentin kur kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvend, unë besoj që plotësohet edhe kushti për sovranitetin e adresove”, ka deklaruar Haxhiu.
Pikërisht çështja e të burgosurve ka bërë që debati ndërmjet ministres Haxhiu e deputetit Beqa të kalojë në rrafsh tjetër.
“Eh more Hajdar, sa kriminelin e kemi jashtë, e që ish dashtë me qenë brenda. Janë arrestuar njerëz që kanë vjedh biçikleta e pula, dhe janë lënë jashtë milionerë. I dimë kush janë”, ka shtuar Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se marrëveshja me Danimarkën nuk do të hyjë në fuqi pa u ratifikuar nga Kuvendi.