Arbëri

Opozita kritikon Komunën e Pejës që s’ka ndihmuar financiarisht personat me COVID-19

Shqyrtimi i raportit për ndarjen e subvencioneve në vitin e kaluar, ka shkaktuar të martën në takimin e Kuvendit Komunal, kritika të opozitës adresuar ekzekutivit, për mosshpenzimin e të gjitha mjeteve që kanë qenë të planifikuara për vitin e kaluar. Duke parë që kishin mbetur mbi 100 mijë euro subvencione të pashpenzuara vitin e kaluar, opozita e ka quajtur absurde që ato mjete nuk janë përdorur për të ndihmuar personat e sëmurë me COVID-19 dhe familjet e atyre që kanë vdekur nga virusi.

“Sipas planifikimit për transfere dhe subvencione për vjet, kanë qenë të planifikuara rreth 599 mijë euro. Janë shpenzuar mbi 471 mijë euro. I bie që diku 128 mijë euro nuk janë shpenzuar prej mjeteve të parapara. Që të mos shpenzohen këtë vit ato mjete, është goxha e çuditshme dhe absurde, posaçërisht në çfarë viti kemi kaluar dhe në çfarë sfidave ka kaluar popullata e komunës së Pejës me Covid-19”, është shprehur këshilltari i AAK-së opozitare, Nazmi Krasniqi, duke iu drejtuar kreut të Komunës, Gazmend Muhaxherit, se nuk është komuna krejt veç asfalt, kubëza dhe trupa ndriçues, raporton KOHA.

Krasniqi ka kujtuar që vitin e kaluar Kuvendi dy herë ka ndarë nga mbi 100 mijë euro për menaxhim të pandemisë, por sipas tij, ato mjete kanë shkuar kryesisht për pako ushqimore e higjienike, por asnjë cent nuk u është dhënë për ndihmë personave që kanë qenë të sëmurë apo edhe kanë vdekur nga koronavirusi. Për mos ndihmën me mjete financiare së paku për shërim të atyre me kushte të vështira ekonomike që kanë pësuar nga ky virus, kryetari i komunës dhe ekipi i tij qeverisës është atakuar edhe nga këshilltari i LVV-së, Bashkim Lajçi.

“Jemi në pandemi, një sfidë e madhe më të cilën po përballemi. Konsideroj që komuna është dashtë me i pas lanë disa punë keq që kanë mundur me pritë dhe me pa ndërhy në këto raste, kishte qenë më mirë”, tha Lajçi, i cili u mbështet nga bashkëpartiakja e tij, Mevlyde Idrizi, e cila

poashtu i potencoi mjetet e mbetura të pa shpenzuara të subvencioneve.

“Kur e kemi parasysh shumën prej mbi 590 mijë euro dhe janë shpenzuar afër 480 mijë, po i bie që mbi 110 mijë euro kanë mbetur pa shpenzuar dhe kjo është e çuditshme, se me dashtë

me ua bë vendin këtyre mjeteve, vend ka mjaft”, tha Idrizi.

Edhe këshilltari i pavarur në Kuvendin Komunal, Gezon Berisha, theksoi se disa herë në seancat e kaluara të Kuvendit ka kërkuar që të ndahen mjete për të prekurit nga COVID-19, së paku, siç shtoi ai familjeve me kushte të vështira ekonomike, nëse jo të gjithëve, por siç tha ai, këtë nuk e kanë bërë.

E për mos mbështetjen financiare të personave të infektuar me COVID-19 apo familjeve për varrimin e familjarëve të tyre që kanë vdekur nga COVID-19, drejtori i Financave, Jeton Abazaj, është justifikuar me mungesë të mjeteve.

“Është vlerë tepër e madhe. Nuk jemi në kategori të Prishtinës dhe Prizrenit me milionat për subvencione që i kanë. Për numrin që kanë qenë të infektuar në Pejë, na kishin shkuar gjysma e buxhetit për subvencioneve veç për këtë kategori”, është arsyetuar ai pse nuk ka pasur ndihmë për këta njerëzit e prekur nga COVID-19.

Kurse, për shumën e pashpenzuar prej mjeteve për subvencioneve, ai ka pohuar se ajo shumë ka qenë e hyrë gjatë muajit dhjetor dhe pas datës 12 dhjetor, sipas tij që është datë e mbylljes së vitit fiskal, nuk lejohet të zotohen subvencione dhe ato janë bartë në këtë vit.

Vitin e kaluar Kuvendi Komunal kishte mbajtur dy seanca të jashtëzakonshme, ku pozitë dhe opozitë i kanë votuar dy vendime për ndërrimin e destinimit të 250 mijë eurove nga kodet tjera për menaxhimin e pandemisë.

Prej shumës 250 mijë euro, 100 mijë euro janë shpenzuar vjet për 3 mijë e 900 pako ushqimore dhe higjienike që u janë shpërndarë familjeve nevojtare. Kurse 100 mijë euro tjera janë shpenzuar dhe kanë vazhduar të shpenzohen për dezinfektim, mjete higjienike, maska dhe furnizime tjera për stafin komunal dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare. Ndërsa, 50 mijë euro janë ndarë për subvencione dhe për ndihmë rastet specifike për trajtime mjekësore.

Por për t’i ndihmuar me ndonjë cent pacientët me COVID-19 më kushte jo të mira ekonomike, për terapinë e shtrenjtë për këtë sëmundje, komuna nuk e ka bërë. Prej fillimit të pandemisë e deri me 30 mars 2021, në komunën e Pejës janë shënuar 4 mijë e 13 të infektuar, prej të cilëve 121 kanë humbur betejën me COVID-19.