Arbëri

Opozita: Kosova s’ka qenë në pozitë më të vështirë me aleatët ndërkombëtarë që nga shpallja e pavarësisë

Albin Kurti

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova asnjëherë më parë nuk ka qenë në pozitë më të pavolitshme me partnerët ndërkombëtarë, kanë vlerësuar drejtuesit e grupeve parlamentare opozitare.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se sjellja e qeverisë gjatë kësaj kohe nuk ka qenë korrekte. 

“Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë, asnjëherë nuk ka qenë në pozicion më të pavolitshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë. Sjellja jonë jo e duhur, jo e denjë, jo e drejtë në raport edhe me interesat tona kombëtare si shtet, por edhe me bashkëpunimin tonë me aleatët gjatë kësaj periudhe nuk ka qenë korrekte”, ka thënë ai, duke vlerësuar tutje se vendi është izoluar e bllokuar. 

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri / Foto: Driton Paçarada - KOHA

Edhe Besnik Tahiri nga AAK-ja ka vlerësuar se Kosova s’ka qenë asnjëherë më e dobët se tani që nga shpallja e pavarësisë. 

“AAK-ja do të mundohet që të adresojë 3 çështje që janë shumë të rëndësishme për ne. Ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara konceptin e ligjit për pagat. Do të shtyjmë përpara miratimin e ligjit për sigurime shëndetësore. Çështja e tretë është forcimi i ekonomisë së Kosovës. Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e dobët që nga shpallja e pavarësisë së saj”, ka thënë ai në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. 

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri / Foto: Driton Paçarada - KOHA

Ndërsa Arben Gashi, shefi i GP-së së LDK-së, ka thënë se qeveria me në krye Albin Kurtin mund të konsiderohet si më e dobëta në historinë e Kosovës.

“Kjo legjislaturë me këtë qeveri mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës, në aspektin e vendimmarrjes, në aspektin e përfaqësimit institucional të Kosovës. Është karakterizuar me një tendencë të kapjes së institucioneve, për paaftësimin e vendimmarrjes së kuvendit në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare. Si rezultat i dominimit nga LVV-ja, të gjitha shtyllat e Kuvendit janë paaftësuar në funksionet e tyre. Për keqardhje 4 vjetët e qeverisjes së fundit janë më të dështuarat për Kosovën”, ka thënë ai. 

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi / Foto: Driton Paçarada - KOHA

Në mbledhjen e së hënës është marrë vendim që të enjten të jetë seanca për hapjen e sesionit vjeshtor.