Arbëri

Opozita kërkon zgjedhje përpara përfundimit të mandatit të rregullt të Qeverisë

Kryetarë të partive opozitare kanë shtuar kërkesat për zgjedhje të parakohshme. Ata kanë kontestuar edhe rezultatin e sondazhit të fundit, sipas të cilit partia në pushtet ka mbështetjen e gati gjysmës së trupës elektorale. Në shoqërinë civile thonë se vendimin për zgjedhje të parakohshme e ka në dorë Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka shumicën në Kuvend.

Në ditët e para të vitit të ri, kryetarë të partive opozitare kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme nacionale.

Sipas kalendarit zgjedhor, procesi i rregullt i votimit duhet të organizohet tek pas një viti, por opozitarët kanë shtruar kërkesën për zgjedhje, ndonëse një sondazh i fundit tregon se partia në pushtet ruan besimin te gati gjysma e trupës elektorale.

Memli Krasniqi, kryetar i partisë më të madhe në opozitë, në një intervistë për Ekonimia Online ka shprehur besimin se subjekti politik që e drejton do të rikthehet fuqishëm.

“Sondazhi i vetëm që vlen është sondazhi i kutisë së votimit dhe dita e zgjedhjeve. Së paku prej korrikut edhe zyrtarisht edhe me qëndrime të këshillit tonë drejtues ne kemi kërkuar ta shpërndajmë kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje. Nëse kryeministri vërtetë beson në sondazhe të tilla , nëse ai përnjëmend mendon se populli vazhdon ta mbështes unë e ftoj që t’i shpallim zgjedhjet qysh sot”, ka deklaruar Krasniqi.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një ditë më parë ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen në pranverë.

“Kjo që po ndodh është aromë zgjedhje… Të gjithë po bëhen gati për zgjedhje, jemi në fushatë, dihet që kemi hyrë në fushatë, por është e dhimbshme nëse partitë shpenzojnë dhjetëra-mijëra euro me “iu marrë mend” njerëzve, t’iu thuhet se ky është fituesi, ai është fituesi. Kështu ndodhi mashtrimi me zotëri Kurti atëherë”, ka thënë Haradinaj.

Por, në shoqërinë civile thonë se vendimi për zgjedhje të parakohshme nuk varet nga opozita, meqë shpërndarjen e Kuvendit e ka në dorë Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka shumicën parlamentare.

“Ajo që tashmë dihet është se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar këtë qeveri, dhe dyshoj se mund të bëhen edhe nëse një numër i deputeteve të pakënaqur brenda VV të kalojë në anën e opozitës. Andaj vendimi për zgjedhje të parakohshme është në dorën e kryeministrit, dhe dialogu me Serbinë do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë vendim. Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me presion ndërkombëtar sa u përket zgjedhjeve në veri. Andaj përkundër vullnetit të opozitës për zgjedhje të parakohshme konsideroj se një herë e mirë duhet të përfundojë procesi i zgjedhjeve në veri, sidomos kur dihet se tash 1 vit do të kemi zgjedhje te rregullta. Ndërkaq sa u përket partive opozitare vërtet disa kanë filluar një reformë e disa kanë ngecur aty ku ishin dhe nuk shihet ndonjë ofertë me ndryshe, andaj mendoje se kanë shumë punë për të bërë nëse vërtet duan të paraqesin një ofertë konkurruese karshi një partie që në zgjedhjet e fundit arriti të fitojë përqindjen më të lartë që kishte ndonjëherë një parti politike në zgjedhjet në Kosovë”, ka thënë Mexhide Demolli nga “FOL”.

Mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme e ka lënë të hapur në fundvit kryeparlamentari Glauk Konjufca, sipas të cilit ato do të duhej të organizoheshin, meqë ky është vit zgjedhor edhe në BE e edhe në SHBA.