Komuna e Fushë-Kosovës me para publike ka investuar edhe në pronë private. Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se te kontrata për vendosjen e kubëzave në të gjithë territorin e Komunës në vlerë mbi 80 mijë euro, komunarët ia kishin shtruar parkingun një biznesi privat në vlerë prej 10 mijë e 303 eurosh. Zyrtarët komunalë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, ndërkohë nga opozita kanë kërkuar nga Drejtoria për krime ekonomike që të nisë hetimet për korrupsion
Paratë publike, Komuna e Fushë-Kosovës i ka investuar në një biznes privat vitin e shkuar.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se te kontrata për vendosjen e kubëzave në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës në vlerë prej 81 mijë e 580 euro, komunarët ia kanë shtruar një biznesi privat parkingun në vlerë prej 10 mijë e 303 eurosh.
Komunarët nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë gjetje të Auditorit.
E dy partitë opozitare, Vetëvendosje e PDK, kanë dërguar çështjen në Polici e Prokurori.
“Duke u bazuar në gjetjet e Auditorit, konkretisht në çështjen A1, Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje e ka iniciuar një kërkesë në Departamentin e krimeve ekonomike për një projekt, ku paraja publike është investuar për qëllime private. Pra çështja 1 ka të bëjë me një projekt, i cili ka të bëjë me shtrimin e kubëzave të betonit, ku nga 80 mijë euro mbi 10 mijë euro janë investuar në këtë pronë private. Ne i bëjmë thirrje edhe Prokurorisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm, që ata të cilët kanë shkelë ligjin të përgjigjen për këtë gjë”, ka thënë shefi i Grupit të kuvendarëve të LVV-së në Fushë-Kosovë, Durim Hajra.
“Edhe nga këtu iu bëjmë thirrje edhe Prokurorisë, edhe hetuesisë që të ndiqet. E di që si lëndë ka shkuar në hetuesi, presim që të merret dikush dhe secili që e ka menduar paranë publike me përdorë për interesa personale të dikujt duhet të marrë dënimin e merituar”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i Grupit të kuvendarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë.
Në raportin e Auditorit nuk specifikohet se në cilin biznes privat është bërë investimi.
Në nenin 17.1 të Ligjit për menaxhimin e financave publike thuhet se paratë publike përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike.
Asamblistët opozitarë kanë theksuar se investimi i parasë publike në prona private është keqpërdorim i buxhetit dhe se me këtë janë konsumuar veprat penale “korrupsion” dhe “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.
KOHA ka dërguar pyetje në adresa të Policisë dhe Prokurorisë nëse kanë nisur hetimet lidhur me këtë gjetje të Auditorit, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.