Përfaqësues të partive opozitare kanë reaguar ndaj video-adresimit të kryeministrit Albin Kurti, në të cilin ka theksuar se ata që kanë qenë më herët në pushtet po duan ta ndryshojnë situatën duke e mbrojtur krimin, dhe ka implikuar në këtë edhe gjykatës, prokurorë e media. Sipas opozitarëve, adresimi ishte skandaloz dhe kanë ngritur pretendime edhe për përfshirjen e kryeministrit në aferën e rezervës shtetërore
Adresimi i së premtes mbrëma i kryeministrit Albin Kurti përmes një video-incizimi ku deklaron se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi apo korrupsioni me rezervën shtetërore dhe se ka besim te ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nxitur reagime të përfaqësuesve të opozitës.
Kryeministri theksoi se ata që kanë qenë më herët në pushtet, po duan ta ndryshojnë situatën duke e mbrojtur krimin, dhe ka implikuar në këtë edhe gjykatës, prokurorë e media.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, e gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si tё mos ndihen humbës tё mëdhenj”, ka thënë kryeministri në video-adresim.
Në opozitë, këtë deklaratë e kanë quajtur skandaloze.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se një kryeministër normal do të duhej të kërkonte drejtësi dhe hetim të plotë.
Ai ka ndërlidhur reagimin e Kurtit edhe me mosdekretimin e kryeprokurorit të ri nga ana e presidentes Vjosa Osmani.
“Duket se kjo paska qenë arsyeja e insistimit të tij me çdo kusht, edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias, që përmes ligjit ta kontrollojë Këshillin Prokurorial. Kjo paska qenë arsyeja pse ky nuk po i jep leje asaj ta dekretojë kryeprokurorin e ri. Kot e kanë”, ka shkruar deputeti i LDK-së, Hoti, në rrjete sociale.
Në linjë me të është shprehur edhe ish-kryeministri tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke përsëritur kërkesën e tij për shkarkim të kryeministrit Kurtit.
“Ç’është ky kryeministër që e lufton sistemin e drejtësisë të shtetit të vet e i mbron ‘dosllarët’ e krimit! Ç’është ky njeri që e sulmon median e shtetit ku vetë është kryeministër, veç pse ato ia zbulojnë hajnitë e miqtë matrapazë! Ky njeri që vjedhjen e bukës së popullit, mundohet ta mbulojë me ‘borën e parvjeme’!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
AAK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, por nuk ka marrë mbështetje nga dy partitë më të mëdha opozitare. Bazuar në arsyetimin që kanë dhënë zyrtarët e PDK-së dhe LDK-së, Qeveria nuk mund të rrëzohet me mocion, pasi kanë theksuar se opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar qeverinë dhe se në një ndërmarrje të tillë nuk duhet llogaritur në votat e deputetëve të Listës Serbe.
I skandalizuar nga videoja e kryeministrit Kurti është shprehur edhe sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi.
“Kjo video është dëshmi se ai është mbrojtës i krimit dhe duke qenë i tillë, Kryeministri po e pengon drejtësinë. Albin Kurti po e mbron Rozeta Hajdarin e Ridvan Dallavergjiun, sepse edhe ai është i përfshirë dhe bashkëpërgjegjës në këto vepra të pastra korruptive dhe kundër sigurisë kombëtare”, ka theksuar Gjoshi.
Të premten autoritetet kanë zhvilluar një aksion ku në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe tregtisë (MINT) janë arrestuar drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica. Gjithashtu, në këtë aksion është arrestuar edhe afaristi Ridvan Muharremi.
Tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe sipas Prokurorisë Speciale dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audio-incizimeve nga gazeta online “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga Polonia nuk iu bashkua rezervës shtetërore. Sipas atyre incizimeve, njësoj ndodhi edhe me një pjesë të grurit.
Por, në një komunikatë për media që e ka lëshuar pas aksionit, MINT ka mirëpritur hetimet. Në të është theksuar se “furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.
MINT-i ka kërkuar hetime edhe për “përpjekjet për keqinformim”.
E në orët e pasdites, ministrja Hajdari ka dalë në një konferencë shtypi, në të cilën ka përsëritur qëndrimin e Ministrisë dhe ka theksuar se asgjë të jashtëligjshme nuk ka gjatë pajisjes me produkte të rezervës shtetërore. Ajo e ka mohuar edhe mundësinë e dhënies së dorëheqjes.
Hajdari është marrë në mbrojtje edhe nga kryeministri Kurti. Ai në video-adresim ka theksuar se nuk ka kurrfarë keqpërdorimi a korrupsioni.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, ka thënë ai. “Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”.
Vlera e kontraktuar e mallrave për rezervë shtetërore ka qenë 10 milionë euro, ndërkaq sasia që dyshohet se nuk ka mbërritur është në masën 3 për qind.