Arbëri

Opozita i quan propagandë për qëllime elektorale veprimet e Qeverisë në veri

Veprime me karakter populist dhe elektoral i kanë quajtur përfaqësues të opozitës vendimet e Qeverisë së Kosovës që lidhen me veriun. Sipas tyre, Qeveria aktuale nuk i përmbushi premtimet e dhëna para katër vjetësh duke u fokusuar në veri. Por, zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se vendimet që lidhen me veriun janë në kuadër të shtrirjes së ligjshmërisë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve që qeveritë paraprake nuk e kanë bërë.

Përfaqësues të opozitës i kanë kualifikuar propagandë për qëllime elektorale veprimet e Qeverisë në veriun e populluar kryesisht me serbë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka cilësuar veprim populist paralajmërimin e Qeverisë për hapjen e urës mbi Ibër, ku tani eksponentë të saj deklarohen se janë duke pritur koordinimin me KFOR-in dhe QUINT-in.

“Fatkeqësisht shumica për të mos thënë të gjitha veprimet e Qeverisë aktuale që ndërlidhen me veriun e vendit, gjithmonë kanë një karakter edhe populist edhe elektoral dhe jo domosdoshmërisht një karakter shtetëror i cili do të ndihmonte në krijimin e një situate më të mirë sesa ajo që e kemi në veri të vendit. Në një situatë ku përveç një sovraniteti funksional duhet të kishte një riintegrim apo integrim të komunitetit serb aty”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka përmendur premtimet e papërmbushura nga Qeveria Kurti, me gjithë mandatin e fuqishëm që ia dhanë qytetarët para katër vjetëve.

“Prej premtimeve që kanë qenë shumë të popullarizuara të tipit të ndërtimit të 160 çerdheve për një mandat qeverisës, ne në ditët e fundit të këtij mandati nuk besoj që kemi katër çerdhe të ndërtuara. Prej atij premtimi që do të ketë banesa me çmim të përballueshëm për çiftet e reja në mënyrë të veçantë ne sot i kemi çmimet e metrit katror shumë herë më të shtrenjta sesa kur e ka marrë mandatin”, ka theksuar Konjufca.

E ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se qeveria e ardhshme ka shumë punë për sanimin e dëmeve për, siç ka thënë, të shkaktuara me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit.

E ka bërë këtë përmes një statusi ku foli për reformën zgjedhore.

“Sipas Ligjit të ri për procedurat tatimore, nëse biznesi ka paguar më shumë TVSH në Administratën Tatimore, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi 3 vjet. Sapo të kalojë periudha 3-vjeçare ajo shumë e parapagimit tatimor për biznesin është e humbur. Ndërkaq pagesat e tepërta të tatimit në fitim për periudhën mbi 3-vjeçare nuk mund të rimbursohen e as të transferohen në obligime të tjera tatimore që biznesi ka ndaj shtetit. Ky është rezultati i ‘reformave tatimore’ kur ato bëhen pa debat publik shterues dhe miratohen me procedura të përshpejtuara në Kuvend”, ka shkruar Hoti në Facebook.  

Kritika të shumta ndaj Qeverisë Kurti për veriun e vendit ka pasur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Së fundmi Haradinaj ka kritikuar kryeministrin  për vizitën e tij të fundit në veriun e Kosovës, duke e quajtur atë një mashtrim ndaj qytetarëve.

Krahas aktiviteteve të shumta që lidhen me veriun, një ditë më herët kryeministri Albin Kurti takoi edhe kryetarët e dy komunave që vijnë nga radhët e PDK-së, 16 muaj pasi morën mandatin e kryetarit.

Kurti dhe vartës të tij në disa raste kanë thënë se vendimet që lidhen me veriun janë në kuadër të shtrirjes së ligjshmërisë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve paraprake që qeveritë e kaluara kanë dështuar ta bëjnë.

Madje kryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha para dy ditësh se me ish-qeveritë veriu do të përfundonte në negociata me Serbinë.