Qeveria në detyrë e Kosovës do të mblidhet të mërkurën, një ditë pasi opozita ua kundërshtoi kryeministrit dhe ministrave verifikimin si deputetë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në rend dite janë 11 pika.
Sipas opozitarëve, dokumentet e dorëheqjes nuk i ishin prezantuar me kohë komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve në seancën konstituive të thirrur të martën. Me vetëm 52 vota pro verifikimit, raporti nuk kaloi dhe seanca u ndërpre.
Në deklaratat pasuese, opozitarët thanë se zyrtarët qeveritarë nuk është dashur të qëndrojnë në zyrat qeveritare, nëse kanë dhënë dorëheqje më herët.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 15 mars (pra në ditën e seancës) kishte dorëzuar një letër dorëheqjeje te kryetari i deritashëm i Kuvendit Glauk Konjufca.
“Që nga 23 marsi kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar i qeverisjes sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KOZ me datë 27 mars 2025, dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar. Për qëllim betimin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të legjislaturës së nëntë, po e përcjell edhe zyrtarisht njoftimin tim për dorëheqje nga posti ekzekutiv, veçse efektiv që nga data e lartcekur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në letrën e publikuar.