Arbëri

Opozita e quan fushatë procedimin e Projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor

Komisioni për shëndetësi dhe mirëqenie sociale

Foto: Alban Bujari

Pa mbështetjen e opozitës deputetët e pushtetit në Komisionin për shëndetësi dhe mirëqenie sociale e kanë proceduar në seancë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. 

Pas shqyrtimit në parim të Projektligjit, në mbledhjen e mbajtur të martën, Projektligji është proceduar për shqyrtim në seancë, por anëtarët e komisionit nga radhët e opozitës kanë pasur kritika për përmbajtjen dhe kohën kur ai është sjellë për shqyrtim në Kuvend. 

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë ka thënë se Projektligji është i vonuar dhe nuk i përmbush mangësitë ligjore në këtë fushë. 

Sipas tij ai është përgatitur nga qeveria për të “mbuluar dështimin 4-vjeçar”. 

“Ky proces nuk duhet të kthehet në tallje për qytetarët. Të kërkohet projektligji në muajt e fundit të mandatit nuk është e drejtë. As nuk është koha e duhur për ta nisur e as përfunduar. Nuk kemi funksionalizim të Sistemin e Informimit Shëndetësor (SISH), nuk e kemi Ligjin e ri për shëndetësi. Mendoj që koha nuk është sa për të improvizuar, por ne duhet të jemi më seriozë e jo ta përdorim sa për fushatë. Mendoj se duhet të kemi qasje më korrekte që të kemi sigurime shëndetësore”, ka theksuar Zemaj duke shtuar se Projektligji nuk duhet të kalojë ashtu siç është sjellë.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se fundi i vitit është kohë e papërshtatshme për sjellje të këtij Projektligji. 

“Do të mbesin veprimet vetëm në letër dhe nuk do të gjejë kurrfarë zbatimi. Ky ligj ka ardhur vonë dhe nuk e ka vendin që të amandatohet. Në seancë ky është ligj i vjetër me gjashtë intervenime. Nuk bëhet fjalë për ligj të ri. Nuk është prekur çështja e TVSh-së. Ju e dini se për të realizuar sigurimet shëndetësore minimumi nevojiten 4 vjet që të grumbullohen fondet. Ky ligj me të gjitha premisat është i paraparë që të dështoj. Nuk ka pako bazike, nuk është definuar kostoja dhe gama e shërbimeve, nuk është bërë asgjë për SISH”, ka deklaruar Dreshaj.

Ai ka kërkuar që Projektligji të kthehet në Qeveri dhe të ndryshohet. 

“Mungesa e sigurimeve nuk arsyetohet me mungesë të ligjit por të vullnetit politik për të zbatuar. Edhe me këtë qeverisje ashtu”, ka shtuar Dreshaj.