Arbëri

Opozita e pushteti në Gjilan thonë se janë dakorduar ta votojnë buxhetin

Komuna e Gjilanit

Opozita e pushteti në Gjilan kanë thënë se janë dakorduar që të enjten (nesër) ta votojnë buxhetin për vitin 2025. 

Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka thënë se buxheti i qytetit do të votohet në seancën e cila është thirrur për në orën 10:00. 

Ai ka thënë se në takimin e fundit në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF), i është kërkuar të anulojë thirrjen për seancën urgjente dhe se ai e ka bërë këtë. 

“Gjithashtu, në KPF u pajtuam që nesër, më 27.02.2025, si Kryetar i Komunës të thërras seancën e radhës urgjente, me fillim nga ora 10:00. Pika e vetme e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi dhe aprovimi i projektbuxhetit për vitin 2025, të propozuar nga Kryetari i Komunës. Përshëndes reflektimin e opozitës (LDK dhe PDK) si dhe arritjen e mirëkuptimit për të zgjidhur situatën e krijuar me buxhetin prej tashmë 7 muajsh”, ka shkruar Hyseni. 

Seanca për votimin e buxhetit të Komunës së Gjilanit kanë dështuar disa herë radhazi për shkak të mungesës së asamblistëve nga radhët e PDK-së e LDK-së. 

Për arritjen e marrëveshjes ka folutr edhe shefi i asamblistëve të LDK-së në Komunën e Gjilanit, Avdyl Aliu. Ai ka deklaruar se kryetari Hyesni, siç ka thënë, i ka lënë inatet partiake anash dhe ka pranuar që të bashkëpunojë me opozitën për të siguruar kalimin e buxhetit.

“Lajmi i mirë sot nga Gjilani është që zotëri Hyseni, kryetari i komunës e ka lënë inatin anash dhe ju ka bashkangjitur vullnetit të mirë, së paku sipas përfaqësuesve të VV-së në Komitetin për politika dhe Financa dhe iu ka bashkangjitur vullnetit të mirë të opozitës që të bëjë nesër Gjilanin me buxhet për vitin 2025. Po them kështu sepse Hyseni ka katër muaj e më tepër, që në tavolinën e tij e ka një përgjigje që në fakt është udhërrëfyes në shume detale të imta për kryetarin e komunës se si shkon procesi i buxhetimit. Nuk e ka ndërmarr as një hap deri më tani”, ka thënë ai, raporton EO.

Edhe shefi i asamblistëve të PDK-së, Bujar Nevzati, ka konfirmuar se ka pasur pajtim mes opozitës dhe pushtetit për miratim të buxhetit.

“Sa dolëm nga takimi që patëm me kryesin e Kuvendit komunal të Gjilanit, apo siç e quajmë ne Komiteti për Politikë dhe Financa dhe po jap një lajm të mirë që u dakorduam dhe duam ta besojmë që ky kryetar nesër të jetë në takim. Ta prezantoj buxhetin, opozita do të jep propozimet e veta dhe besoj shumë që nesër do ta miratojmë buxhetin e komunës së Gjilanit dhe qytetar më nuk do të jenë të brengosur për buxhet”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
Komuna e Gjilanit

Dështon sërish seanca për miratimin e buxhetit të Gjilanit

Ka dështuar edhe të mërkurën seanca urgjente e thirrur e Kuvendit Komunal për miratimin e buxhetit...