Arbëri

Opozita dyshon se Fushë-Kosova pagoi mjete për zhavorr për punët që s’u kryen

Opozita në Fushë-Kosovë ka ngritur dyshime për keqpërdorim të mjeteve nga zyrtarët komunalë në kontratën për shtrimin e rrugëve me zhavorr. Ata thonë se me këtë kontratë në vlerë prej 78 mijë eurosh, deri tash janë paguar mbi 40 mijë. Në terren, sipas tyre, janë pak rrugë që janë trajtuar deri tash, e që në nuk e arrijnë gjatësinë e një kilometri. Zyrtarët komunalë nuk kanë folur për këto dyshime

Dyshime për keqpërdorim të mjeteve të kontratës për zhavorr kanë ngritur zyrtarët opozitarë në Fushë-Kosovë. Vlera e kësaj kontrate trevjeçare është 78 mijë euro, ndërkohë që deri tash janë paguar mbi 40 mijë euro.

Durim Hajra, shef i Grupit të kuvendarëve të LVV-së, tha se në bazë të informatave që i kanë nga terreni, pak rrugë janë trajtuar me zhavorr, e që nuk e arrijnë gjatësinë prej një kilometri, e kthyer në vlerë monetare, jo më shumë se 10 mijë euro.

“Është e çuditshme qysh për çdo vit janë mbi 1 milion euro për asfaltime dhe afër 200-300 mijë euro të buxhetuara për zhavorr. Komuna e Fushë-Kosovës nuk është territor aq i madh sa të ketë nevoja aq të mëdha, sidomos për zhavorr. Kështu që ne dyshojmë që edhe në kontratat kornizë më herët që kanë qenë për zhavorr ka keqpërdorime edhe sa i përket pagesave edhe vlerës së këtyre kontratave”, tha Hajra.

Komuna e Fushë-Kosovës pothuajse çdo vit ndan mjete për shtrimin e rrugëve me zhavorr. E, sipas opozitarëve shumica e rrugëve janë të asfaltuara dhe nuk ka aq shumë nevojë për zhavorr.

Shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë, Mirsad Qyqalla, u shpreh se mjetet e zhavorrit do të duhej të destinoheshin për mirëmbajtjen e rrugëve të asfaltuara.

“40 mijë euro ne mendojmë që është shumë bajagi e madhe. Rrugët e shtruara me zhavorr për vlerën e lartcekur është goxha problem të arsyetohen. Këtë mund ta di vetëm ekzekutivi, sepse ne që veprojmë në këto hapësira është shumë goxha e papërfillshme për me u barasvlerësua me shifrën e paguar nga ana e ekzekutivit”, deklaroi ai.

Lidhur me dyshimet e ngritura, KOHA u ka adresuar pyetje zyrtarëve komunalë të Fushë-Kosovës më 22 dhjetor, por nuk ka marrë përgjigje.