Arbëri

Në rast dakordimi, opozita do t’i drejtohet Kushtetueses për vlerësim të draftstatutit

Albin Kurti - Aleksandar Vucic - dialogu - Bruksel

Më 2 maj në Bruksel do të mbahet takimi i parë që nga marrëveshja për aneksin e zbatimit në Ohër në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuciq, ku njëra nga pikat e diskutimit do të jetë draftstatuti i Asociacionit. Njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve mund të arrihet vetëm nëse ndërmjetësuesit dalin me një propozim të tyre. Opozita ka paralajmëruar se draftin për AKS-në do ta dërgojë në Kushtetuese.

Dy ditë para takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq, në Bruksel, ku pritet të diskutohet për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e të pagjeturve, njohës të çështjeve thonë se dakordimi mes dy palëve për këtë draft mund të arrihet vetëm në rast se ndërmjetësuesit propozojnë diçka të obligueshme.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se nëse ndërmjetësuesit nuk propozojnë një draftstatut që i obligon të dyja palët për dakordim, nuk pritet pajtim mes palëve.

“Sigurisht që kryeministri Kurti do të propozojë një draftstatut me kompetenca shumë të zbehta të asociacionit. Ndërkohë që presidenti Vuçiq do të propozojë një draftstatut që do të jetë i barabartë me Republika Srpska dhe këtu ka një hapësirë shumë të madhe që kompromisi mund të jetë shumë i largët dhe gati i pamundur, në rast se ndërmjetësuesit nuk do të propozojnë një variant të tyre, i cili do të jetë në formën merre ose lëre”, u shpreh Spahiu.

Sipas Spahiut, propozimi i draftstatutit nga ndërmjetësuesit e bisedimeve Kosovë – Serbi do të ishte diçka që do t’i përfshinte qëndrimet e të dyja palëve, teksa thotë se nga ekipi menaxhues për draftstatutin nuk ka asgjë të dobishme.

Ekipi menaxhues është i përbërë me serbë nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe themeluar nga Qeveria. Por ditë më parë, në Qeveri thanë se anëtarë të këtij ekipi nuk po u përgjigjen thirrjeve të tyre për takim dhe është përmendur edhe mundësia e ndërrimit të përbërjes.

“Cili do të jetë vështirë është me paramendu, por në bazë të deklaratave të Lajçakut dhe Escobarit duhet të jetë njëra nga format e autonomive ekzistuese brenda Bashkimit Evropian. Asociacioni në fakt është diçka përtej autonomisë të cilën serbët e gëzojnë në Kosovë me planin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës e që është autonomi në fushën e kulturës, arsimit dhe shëndetësisë”, shtoi Spahiu.

Por deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se çfarëdo draftstatuti për Asociacionin para miratimit nga Qeveria, fillimisht duhet të dërgohet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk duhet si Marrëveshja e Ohrit të kalojë, sepse sikur po ndërton një rend paralel kushtetues në Kosovë e që është e papranueshme dhe tash meqenëse kemi ardhur në këtë fazë, na ka futur në këtë cikël ky kryeministër, detyrimi për të është që të përfundojë kjo çështje në Gjykatë Kushtetuese si draft, si dokument në momentin kur ka një pëlqim apriori prej dy palëve pa Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që pasojat për Kosovën mund të jenë shumë të mëdha”, deklaroi Selmanaj.

Ditë më parë edhe zyrtarë të PDK-së thanë se vetë iniciativa për draft-statutin duhet të jetë kushtetuese.

E shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Kurti, Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

“Në këto parime në të cilat assesi nuk ka kompetencë ekzekutive, assesi nuk ka ndërhyrje në sistemin kushtetues dhe rendin kushtetues të Kosovës. Ndërtohet një draft në bazë të cilit diskutohet. Tash ne veç kemi filluar t’i dëgjojmë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në raport me këto parime dhe në raport me këtë qasje e cila është e mbështetur nga të gjithë, përveç atij apo përveç palës serbe”, theksoi Kusari – Lila.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka thënë se kryeministri Kurti dhe ekipi i tij duhet të hartojnë një draftstatut, por se, sipas tij, nuk do të thotë që ai draft të miratohet.

“Natyrisht për t’u bërë një draftstatut nevojitet dakordimi i të dyjave palëve, do të thotë nuk është ta bëjë atë punë Kosova, ose ta propozojë Serbia dhe Kosova ta miratojë. Atë çfarë e propozon ky komision i Kosovës është vetëm propozim i Kosovës nuk është propozim i Serbisë”, ka thënë Spahiu.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel, ku nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se në takimin e dy palëve do të miratohet deklarata për të pagjeturit dhe do të nisin diskutimet për propozimin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje bazë në Bruksel më 27 shkurt, ndërkaq janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër. Por as njëra e as tjetra nuk janë firmosur për shkak të refuzimit të Serbisë. Madje, Serbia ka thënë se disa pika edhe nuk do t’i respektojë dhe këtë e bëri me votën kundër për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në marrëveshje, ndër të tjera, thuhet se Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Pas përfundimit të votimit, Serbia edhe kërcënoi e qortoi vendet që votuan pro ose abstenuan.

B O X***

Dodik: Në Bosnjë nuk do të kalojë asnjë temë që lidhet me Kosovën

Presidenti i Republika Sërpskas në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik, ka thënë, të dielën, se do të përkujdeset që në Bosnjë të mos kalojë asnjë temë që ka të bëjë me Kosovën.

“Madje edhe ato të Procesit të Berlinit, ku është kërkuar që kartat e identitetit të njihen si legjitime, nuk do të kalojnë në Bosnjë-Hercegovinë”, ka thënë Dodik. “Ne kemi qëndrimin tonë ndaj kësaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar”.

Dodik ka reaguar pasi që Bosnjë-Hercegovina abstenoi në votim për pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Dodik ka pyetur se pse “Serbia e mbështet integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, nëse ajo nuk e mbështet integritetin territorial të Serbisë”.

“Vetë fakti se është cenuar e drejta e votës e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës për të vendosur për votimin për pranimin e Kosovës së vetëshpallur në Këshillin e Evropës, tregon tashmë se Bosnjë-Hercegovina ka vendosur qëndrimin e saj”, tha Dodik.

Dodik ka thënë se “myslimanët e Bosnjës nën presionin e BE-së dhe amerikanëve po sillen si po iu thuhet”.

Në Bosnjë, vendimmarrja është goxha e vështirë në nivel qendror, pasi duhet konsensus i plotë i tre anëtarëve të Presidencës së këtij vendit, e që përbëhet nga një mysliman, një serb dhe një kroat.